Britania: Assad do përdorë armë kimike

08/12/2012 17:00

Ministri i Jashtëm britanik, William Hague ka deklaruar të shtunën për BBC se Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara zotërojnë informacione sipas të cilave Siria po përgatitet të përdorë armë kimike.

Hague nuk ka dhënë detaje, duke nënvizuar se bëhet fjalë për informacione të siguruara nga shërbimet sekrete.

Hague ka kujtuar se presidenti amerikan Barack Obama paralajmëroi të hënën e kaluar se, do të ketë pasoja serioze nëse Assad përdor armë kimike kundër popullit të tij.

Ndërkohë, Damasku zyrtar u është përgjigjur po sot akuzave të Perëndimit, përmes një letre dërguar OKB-së ku thuhet se, ekziston rreziku që vetë “terroristët”, siç i quan regjimi rebelët, të pajisen me armë kimike nga vendet që i mbështesin, përfshirë këtu SHBA.

Ndërkohë, luftime intensive mes rebelëve dhe forcave qeveritare siriane po zhvillohen në jug të qytetit Marat al Numan, në provincën e Idlibit, përgjatë autostradës mes Damaskut dhe Alepos.

Sipas Observatorit Kombëtar për të Drejtat e Njeriut në Siri, luftimet po zhvillohen në një zonë që ndodhet pranë bazës ushtarake Wadi al Deif.

Bombardimet me raketahedhës kanë goditur edhe fshatin e vogël të Marshamshasë, njofton më tej OJQ-ja, sipas të cilës ditën e djeshme janë vrarë të paktën 70 persona në të gjithë vendin, 21 prej të cilëve civilë të çarmatosur, 32 rebelë dhe 16 ushtarë qeveritarë.

Ndërkohë, janë mbi 61 mijë refugjatët sirianë që kanë mbërritur në Irak dhe që janë strehuar kryesisht në rajonin e Kurdistanit, por shumë të tjerë vazhdojnë të mbërrijnë, me një ritëm prej 200 personash në ditë.

Lajmin e ka bërë të ditur Mohammad Abdullah Hammou, drejtor i çështjeve të emigracionit për provincën veri-perëndimore të Duhokut, ku 42 mijë sirianë janë strehuar në një kamp refugjatësh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA