Ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi ka konfirmuar se ai do të garojë sërish për këtë post vitin e ardhshëm.
Berlusconi u tha gazetarëve në Milano se “do të garoj për të fituar” dhe se vendimi i tij erdhi pasi partia e tij Populli i Lirisë nuk arriti të gjejë një lider tjetër po aq popullor sa ai.
“Nuk është se ne nuk kërkuam, por zakonisht duhet kohë që dikush të imponohet si lider”, tha ish-kryeministri, duke iu referuar sekretarit të përgjithshëm të partisë, Angelino Alfano.
Ai tha gjithashtu se po hyn në garë pasi sondazhet e nxjerrin të djathtën italiane pas së majtës. Ditën e enjte, PIL-ja abstenoi në votëbesimin e mbajtur në Parlament për qeverinë.
Zoti Berlusconi tha se politikat anti-krizë të kryeministrit Mario Monti e kanë dëmtuar Italinë. Ish-kryeministri, 76 vjeç, u tërhoq nga posti në nëntor të vitit 2011 për shkak të problemeve që Italia pati me krizën ekonomike.
Në tetor ai u dënua nga një gjykatë italiane për evazion fiskal, vendim të cilin po e apelon, ndërkohë që akuzohet në një proçes tjetër për marrëdhënie seksuale me një prostitutë minorene, që njihet me pseudonimin Ruby. Edhe në këtë rast, ai i mohon akuzat.
Berlusconi ka shërbyer si kryeministër i Italisë në tre mandate të veçanta dhe thuhet se ka arritur fitime kolosale nga perandoria e tij mediatike.
Ai tha gjithashtu se nuk e ka marrë malli as edhe një minutë për zyrën e kryeministrit, por kthehet për shkak të “ndjenjës së përgjegjësisë”.
Ndërsa lidhur me përballjen e tij me gjyqësorin italian, Berlusconi tha se, e sheh atë me një ndjenjë frikë për shkak të një gjyqësori “të plotëfuqishëm”.
Top Channel