I ftuar në Top Story të gazetarit Sokol Balla dhe përballë një paneli me gazetarë dhe analistë, Kreshnik Spahiu sqaroi tezën e Aleancës Kuqezi për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Ai tha se me këtë ka parasysh heqjen e barrierave doganore dhe bashkimin ekonomik mes dy shteteve shqiptare si përshpejtuese e integrimit.

Spahiu akuzoi ashpër kryeministrin Sali Berisha si anti-nacionalistin që në 22 vjet në pushtet, jo vetëm nuk ka bërë asgjë për faktorin shqiptar në rajon. Përmendja prej tij e Prevezës më 28 Nëntor  është thjesht dhe vetëm elektorale pasi në të kundërt shtoi ai , Berisha do të kishte vepruar duke kërkuar nga shteti grek hapjen e konsullatës shqiptare atje.

Përballë tij, për të pasuruar bisedën në studio, ishin të ftuar tre analistë të mirënjohur si Eduart Zaloshnja, Roland Vasjari dhe Mentor Kikia, kryeredaktori i lajmeve në “Top-Channel”.

”Aleanca Kuqezi është ajo që ka sjellë patriotitizimin e politikës shqiptare. Në këtë studio, në një intervistë një vit më parë, vendosa futjen e frymës kombëtare dhe patriotitizimin e instituciuoineve shqiptare si përparësinë tonë kryesore. Mungesa e mbrojtjes së interesit kombëtar, fatkeqësisht ka qenë shumë e dukshme për shumë kohë”, nisi bisedën e tij Kreshnik Spahiu.

I pyetur për sinqeritetin e politikanëve të tjerë në evokimin e çështjes patriotike, si në rastin e propozimit të dhënies së nënshtetësisë për çdo shtetas shqiptar, Spahiu komentoi: “E kam pritur me shumë gëzim deklaratën e ligjit për shtetësinë, por fatkeqësisht jam i sigurt se dhënia e pasaportës për çdo shqiptar nuk do të realizohet.  Edhe retorika për bashkim kombëtar, të dyja erdhën një javë pasi u shpall data 23 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve. Një vit e gjysmë më parë, AK i drejtoi parlamentit kërkesën për të gjetur konsensuin për nismën e saj “Një komb, një pasaportë” dhe në një fushatë tre-mujore, e mbuluar gjërërisht nga shtypi, kërkuam që shtetasit shqiptarë, bashkëkombasit tanë kudo që ndodhen, të pajisen me pasaporta shqiptare. Atëherë, kjo nismë as që u përfill. Ndërsa tani, kjo erdhi një pak pasi në Këshill të Ministrave, u propozua që çdo i huaj që investon 100 mijë euro në Shqipëri, mund të pajiset me nënshtetësi automatikisht. E thënë ndryshe, nëse një i huaj blen një shtëpi tek blloku, merr pasaportën tonë”.

Në deklaratën e tij hyrëse, themeluesi dhe kryetari i “Aleancës Kuqezi”, u ndal gjithashtu në një përshkrim të shkurtër historik, për të ilustruar më mirë idetë e tij. “Unë kam qenë shok fakulteti dhe mik i Azem Hajdarit. Në vitin 1995-96, u njoha me legjendën shqiptare, ish-presidentin Ibrahim Rugova. Me të kemi pasur shumë mundësi të rrinim pranë. Shqiptarëve sot duhet t’ua themi në sy, nga viti 1996 deri në 2006-n, Rugova nuk e ka pranuar shtetasin Berisha në Kosovë apo shtëpinë e tij. Arsyet ishin misioni antishqiptar dhe përdorimi i Kosovës për koncension politik dhe forcimin e pozitave të tij”.

Në një paralelizëm me të shkuarën, Spahiu iu rikthye situatës së viteve 1996-97, për të mbështetur idenë e tij se edhe në të shkuarën, kryeministri Berisha e ka shfrytëzuar çështjen kombëtare për të nxjerrë përfitime personale politike. “Në 1996-n, kur gjithçka degratoi, kur shtetasi Berisha ndieu kërcënimin se po humbiste pushtetin, iu desh të kërkonte futjen para kohe në luftë të Kosovës, për t’u shkëputur përpara pjekjes së kushteve dhe jashtë axhendës së SHBA-ve. Këtë e bëri duke futur shumë faktorë politikë, si Adem Demaçi, duke i thënë futuni në luftë se përndryshe do më rrëzojnë amerikanët. Rugova, me rezistencën e tij nuk pranoi të përdorej Kosova për t’u futur në luftë që të mbahej karrigia e Berishës. Ky është një rast analog, kur ky njeri, çështjen e bashkimit kombëtar e fut në axhendë në krizat më të forta të Shqipërisë dhe sot, në momentin kur bashkimi është më pranë se kurrë, po kërkon të marrë gjithçka me vete, përfshi kauzën kombëtare, që ndërkombëtaret t’a lënë në pushtet në këmbim të heqjes së këtyre tezave”.

Megjithatë, deklaratat e fundit të Berishës, mbeten identike me disa të tilla të vetë zotit Spahiu, në lidhje me bashkimin kombëtar, pasaportën dhe disa të tjera. Duke mohuar ekzistencën e një “xhelozie” politike për këtë retorikë, Spahiu theksoi: “Filozofia dhe doktrina e kuqezinjve është e kundërt me të demokratëve. Patriotizmi jonë është referendar, ndërsa i Berishës është elektoral. Në momentin kur ngriti kauzën e pasaportave për çdo shqiptar, aq u gëzova sa i çova peticionin që të ishte ai i pari që të firmoste bashkimin Shqipëri-Kovoë, por ka një javë që mbetet në sirtar. Ai është i vetmi akt ligjor dhe juridik, politik dhe referendar, që mundëson bashkimin kombëtrar. Aq me gëzim e pritëm sa i dërguam në një orë peticionin që të jetë bashkëfirmëtar për bashkimin e dy Shqipërive”.

Në kalimin e fjalës tek analistët, ishte zoti Kikia, i pari që shprehu një seri rezervash ndaj lëvizjes që Spahiu kryeson. “Peticioni është pa vlerë ligjore dhe juridike. Sa për AK-në, unë mendoj se Aleanca nuk është ajo që mbolli patriotizmin, i cili gjithmkonë ka ekzistuar edhe më parë midis njerëzve. AK është produkt i një fryme. që ekzistonte mes njerëzve, që pas 20 vitesh mund të demostronin krenarinë e tyre. Fatkeqësisht, nismat e AK-së duken se janë kthyer në nacionalizëm folklorik, pas dalldisë me flamuj, do shëmbim doganën, duke dalë në Ksamil si Çerziz Topulli, duke parë Korfuzin dhe kjo ia zbehu seriozitetin kësaj gjëje kaq të bukur. Ju kujtohet që ka pasur një tjetër lëvizje, “Mjaft”-i, që gjuante Ministrinë me letra higjinike, por kur u shndërruan në një parti politike, askush nuk e mori seriozisht. Personalisht, nuk mund të besoj një parti që ka të vetmen kauzë të urrejë fqinjët. Shqipërisë i duhen patriotë që të duan Shqipërinë”.

Për Eduard Zaloshnjen, paralelizmi midis “Mjaft”-it dhe “AK”-së është i gabuar. “Nuk e dimë se si do të dalin zgjedhjet, por paraprakisht ka diferencë të madhe mes G99 dhe AK-së, sepse G99 nuk kishte një kauzë. Kërkonte që arsimi duhet të ketë 5% të buxhetit, që të rinjtë të dëgjohen më shumë, dmth kishte tre kauza që tashmë janë pjesë e programit të gjerë të PS-së. Ndërsa AK ka paraqitur një program të shkurtër, me dhjetë pika. Të gjitha këto përbëjnë risi, pavarësisht sa të realizueshme do të jenë dhe çështë më e rëndësishmja, kam bindjen se asnjë parti në Shqipëri nuk do të marrë 71 mandate, prandaj me AK-në ka disa pika të veçanta dhe goditëse për një pjesë të caktuar të elektoratit, mund të pretendojë të ketë një peshë reale në politikën shqiptare pas këtyre zgjedhjeve”.

Roland Vasjari, midis analistëve, ishte ai që mbajti qëndrimin më të ashpër kundër Aleancës Kuqezi, duke e konsideruar këtë parti si “gati absurde”, terminologjinë e tyre si “të frikshme dhe tmerruese” e qëllimin e tyre si “në kundërshtim me unitetin kombëtar”. “Nuk më duket korrekte, që për të luftuar Kryeministrin e Shqipërisë, i referohet dy individëve të nderuar që nuk jetojnë më sot, sepse mund të dalin njerëz e të shpikin histori nga më të pafundmet. Kjo është e para dhe kjo nuk është aspak e ndershme”, nisi vlerësimin e tij Vasjari, duke iu referuar figurës së nderuar të Rugovës.

”Shumë interesante logjika totaliare e Spahiut në Shqipërinë dhe Kosovën. Kikia tha se kush tha që nëse do të votojnë shqiptarët e të dy krahëve, ne me të vërtetë do të bashkohemi. Personalisht, unë jam kundër bashkimin dhe nuk kam frikë ta deklaroj, por askush nuk mund të më thotë që unë e dua më pak Kosovën se Spahiu që është pro”.

Edhe më i ashpër vlerësimi konkret i Vasjarit për vetë Aleancën: “AK mbetet një formacion jakobin, që ka një ide në kokë, por sot ngrita pikëpyetje të thella edhe për idenë e saj, pasi Spahiu se paska tek çështja kombëtare, por tek kryeministri dhe po shfrytyëzn nacionalizmin e tij për të luftuar Berishën. Modelet si AK lindin kur prishet kontrata mes politikës dhe shoqërisë, kur krijohen vakume, që okupohen nga grupacione që ose kanë intonacione nacionaliste apo anti-politike. AK është gati-gati një lëvizje absurde, pasi mpleksen të dyja dhe spekulohet me çështjen kombëtare. Pastaj terminologjia flet vetëm për arrestime, burgosje, dhunë. Terminologjia e tyre agresive nuk mund të ketë legjitimitet as brenda kësaj demokracie, pasi bie ndesh me unitetin kombëtar”.

I vendosur përballë këtyre kritikave, Spahiu shpjegoi fillimisht dy çështje të rëndësishme, atë të referendumit dhe deklaratave populiste. ”Ne jemi shumë të hapur dhe nuk do i shmangem kritikave e pyetjeve. Madje ne kemi një ekip monitorues që raportojnë çdo ditë për kritika, fyerje dhe sharje nga të gjhithë analistët dhe gazetarët. Përsa i përket referendumit, i sqaroj Kiksë se forma më e mirë dhe e vetme juridike e politike për të realizuar bashkimin është referendumi. Një nga instumentat për të kërkuar referendum popullor, në bazë të nenit 150 të kushtetutës, natyrisht është referendumi që kërkohet nga 50 mijë qytetarë me të drejtë vote”.

”Sot Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete të pavarura, ndaj duhet të vijë një sistem i ri që do të implementohet dhe njihet ndërkombëtarisht”, vazhdoi Spahiu. “Ne jemi të hapur për fushatë referendare, e cila është referendare dhe jo elektorale. Referendumi mund të bëhet pas një viti, dy vitesh, kjo nuk lidhet me marrjen apo rënien e pushtetit. Gjithashtu ne jemi të gatshëm për Federatë. Jemi duke lobuar me ndërkombëtarët që të pranojnë këtë formulë, me bashkimin e dy shteteve që ruajnë autonomi, sovranitet, politik. Kjo hap mundësinë e shtimit të shteteve të tjera, bashkimi i Shqipërisë është hapi i parë i Federatës Shqiptare në Ballkan. Politikanët sot flasin për bashkimin në Bruksel, për atë ditë që do të bashkohemi gjithashtu me grekët, serbët dhe të tjerët. Ne themi jo, ajo që sjell prosperitet për të gjithë është fillimisht bashkimi i shqiptarëve, pavarësisht asaj që do të ndodhë në Bruksel”.

Deklarata e kryeministrit për të dhënë pasaporta shqiptare

Deklarata e lëshuar nga kryeministri Berisha, dy ditë më parë gjatë mbledhjes së qeverisë në Muzeun e Pavarësisë, aty ku Ismail Qemali mblodhi për herë të parë qeverinë e tij, për dhënien e pasaportave për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë kufirit shtetëror, u cilësua nga kryeredaktori i Top Channel, Mentor Kikia si përpjekje për të fituar kapital elektoral: “Kryeministri pa se në lëmin e nacionalizmit ka vota dhe u turr edhe ai. Por befas u gjendëm në një realitet tjetër. Miratimi, në rastin më të mirë të një ligji të tillë, do të krijonte pështjellime të mëdha ndër shqiptarët në rajon, si ajo e një emigracioni brenda për brenda shqiptarëve dhe nga një Shqipëri e Madhe do të shkonim në një Shqipëri aktuale, por me më shumë shqiptarë”.

Analisti Vasjari vlerësoi si patriotike deklaratën e Berishës, por shtoi se ajo duhej lëshuar pas një konsultimi me opozitën dhe forcat e tjera politike, pasi akti i pajisjes me pasaportë përkthehet në të drejtë elektorale për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve aktualë: “Deklarimi i kryeministrit është një ide patriotike, jo nacionaliste. Por kjo nuk përligj, në këndvështrimin tim karakterin unilateral të deklaratës. Problemi më i madh që mund të shkaktojë kjo ide, është aspekti më delikat, mendoj që kryeministri përpara se ta lëshonte këtë, duhej ta konsumonte me kreun e opozitës, sepse dihet që impakti që ka Berisha në Kosovë është më i madh dhe i pakrahasueshëm me atë që ka zoti Rama. Fakti që shtetasi shqiptar, nënkupton pajisjen e tyre me të drejta, që do të thotë e drejta elektorale dhe nëse në një skenar shumë të mundshëm, mjaft shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë do të ishin një depozitë votash duke prishur një ekuilibër politik që ekziston në realitetin shqiptar. Kjo prishje do të jetë jashtëzakonisht problematike sepse do të prodhojë efekte të kundërta nga ideja e zotit Berisha”.

Ndërsa analisti tjetër i ftuar në panel, Zaloshnja bëri një krahasim të deklaratës së Berishës me atë të Enver Hoxhës në vitin 1951 që pajisi çamët e përzënë nga Greqia me pasaporta shqiptare. Kjo, sipas Zaloshnjës, u mohoi të drejtat e popullsisë çame për të kërkuar pronat në Greqi, pasi Athina i çregjistroi nga gjendja civile. I njëjti efekt, paralajmëroi Zaloshnja, mund të ndodhë edhe në Preshëve, Maqedoni apo Mal të Zi.

Kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu tha se forca politike që ai udhëheq, është pro dhënies së pasaportës për të gjithë shqiptarët, por më parë duhet të sigurohen garancitë e nevojshme se ata nuk do të shpërngulen nga trojet ku jetojnë për të shmangur spastrimet etnike.

Më tej, kreu i AK-së shtoi nevojën e bashkimit të dy shteteve shqiptare, bashkim që sipas tij do t’i japë një tjetër hov ekonomisë dhe sigurisë kombëtarre: “Bashkimi duhet të ndodhë që Shqipëria në Europë të hyjë dy herë më shpejt. Bashkimi rrit sigurinë kombëtare, tregu i Shqipërisë është shumë i vogël, nuk afron asnjë investitor të madh. Shqipëria dhe Kosova kanë ekonomi komplementare. Turizmi, Shqipëria mesdhetar, Kosova alpin. Heqja e doganave ul cmimet e produkteve. Ekonomia zhvillohet dhe standardet u afrohen më shumë Bashkëimit Europian”.

Kritikave të AK-së për prezencën e “tre ministrave grekë” në qeveri, iu kundërvu kryeredaktori i TCH, Mentor Kikia. Zoti Kikia ngriti pyetjen se si një parti që nga njëra anë kërkon të drejta për shqiptarët në Preshëve, synon zhdukjen e të drejtave të minoriteteve të tjera që jetojnë në Shqipëri.

Zoti Spahiu u përgjigj se AK nuk është për “dëbimin” e tyre, por për përfaqësimin sipas përqindjes së popullsisë.

Spahiu përmendi për herë të parë në Top Story se s’i kishte marrë një kërcënim, sipas tij, nga njerëz të afërt të kryeministrit Berisha gjatë nismës “Një Komb, një Kombëtare”, nismë në të cilën Spahiu u angazhua gjatë kohës kur mbante postin e kreut të KLD-së: “Njëriu më i afërt me Berishën, ai që çon sms, më tha “duhet të dorëhiqesh sepse po na prish marrëveshjen me Greqinë për integrimin dhe statusin” dhe gjithcka ka ndodhur në kohën kur sapo kishte nisur lëvizja “Një Komb një Kombëtare”.

Lidhur me qendrimin e komunitetit ndërkombëtar për frymën nacionaliste të AK-së, zoti Spahiu siguroi se nuk ka asnjë reagim të drejtpërdrejtë të institucioneve ndërkombëtare dhe shtoi se AK ka një program të qartë për të regjistruar pronën e shqiptarëve, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

Parashikimet elektorale

Zaloshnja renditi dy faktorë që sipas tij do të ndikojnë në rezultatin elektoral të AK-së, faktori i brendshëm dhe ai i jashtëm: “Ka faktorë të brendshëm dhe faktorë të jashtëm, sepse dihet që nga krijimi i shtetit shqiptar që fuqitë e mëdha kanë luajtur një rol të rëndësishëm se kush do të jetë në pushtet në Shqipëri. Unë lëvizjen e Berishës e shoh në aspektin e brendshëm. Ka ndjerë nga sondazhet që AK përbën një rrezik elektoral, ndaj u fut në këtë fushë ku po luantë AK. Nga pikëpamja e jashtme, kam vënë re që Berisha luan kartën patriotike kur ka probleme me fuqitë e mëdha. Berisha me tezën e patriotizmit po mundohet që me një gurë të vrasë dy zogj, të rintje dhe ish të përndjekurit që ndoshta mund të rrëshqasin me FRD-në”.

Kryeredaktori TCH, Kikia pohoi se AK do të marrë vota nga shtresa e shoqërisë që deri më sot ndjehet e papërfaqësuar në politikë. Sipas tij, shumë shqiptarë janë në kërkim të një force dhe lideri për t’i përfaqësuar, por përjashtoi mundësinë që kjo forcë të jetë AK: “AK do të marrë vota, por nga njerëz që deri më tani janë ndjerë të papërfaqësuar në politikë, që mllefin e tyre ndaj të gjithëve, e nxjerrin duke thënë që nuk jam me askënd. AK do të mbledhë vota këtu, por do të vazhdojë të mbetet në minorancë. Unë personalisht vazhdimisht do të kërkoj një parti që të ‘zbythë’ këta sulltanë, por tek AK shikoj një parti me shumë mllef”.

Analisti Vasjari shtoi se AK ka një fat të madh pasi është krijuar në rrethana të favorshme politike, por shtoi se kjo parti do të jetë një fenomen tranzitor: AK ka një fat të madh sepse lindi në kushtet kur një forcë e re politike do të ishte e përshtatshme për mjedisin politik. AK shfrytëzoi rrethanat, por mendoj që është një fenomen tranzitor. Nuk kam frikë të them që AK është një fluks i rrezikshëm për politikën dhe shoqërinë shqiptare nëse nuk moderohet. Mendoj që në zgjedhjet e 2013, AK do të marrë vota, do të jenë vota që do të kenë një peshë të caktuar, mbase edhe kushtëzuese për pushtetin e ardhshëm, por nëse AK nuk moderohet radikalisht do të ngelet një fenomen tranzitor”.

Në mbyllje, lideri i AK-së, Kreshnik Spahiu kërkoi votën e shqiptarëve për të “hequr qafe sistemin” dhe jo për rotacion politik. Ai premtoi se AK është e vetmja forcë politike që do të vendosë kulturën e ndëshkueshmërisë për politikanët, duke nisur nga kryeministri Berisha, që ai e cilësoi si më të korruptuarin. Për këtë ai solli shembullin e Kroacisë, ku ish-kryeministri Ivo Sanader u dënua me burg për korrupsion në dy tendera rrugësh.

“AK ka lindur pas 21 janarit. Pas ditës në të cilën mendoj që opozita shqiptare parlamentare është tkurrur. Ne mendojmë që AK është opozita e vërtetë, ndryshe nga të vjetrat, që ka një filozofi ndryshe për të ardhmen e shqiptarëve. AK thotë që ne nuk jemi për rotacion politik, nuk kanë qenë më të mira 8 vitet e socialistëve se sa 12 vitet e demokratëve. Ne kemi filozofi tjetër. Të rrëzojmë këtë sistem të vjetër politik dhe të ngremë një të ri, të rrëzojmë këtë sistem që lindi me PD, e cila hoqi kapitullin e bashkimti kombëtar sepse synonte të forconte pushtetin. Jemi e vetmja lëvizje që kemi guximin, që nga unë dhe cdo drejtues i AK-së do të jetë vetëm 2 mandate, po ashtu edhe cdo drejtues në shtet. Politika e re është me dy modele në rajon, modeli shqiptar dhe modeli kroat. Kroacia po integrohet sepse filloi nga ndëshkimi duke cuar në burg kryeministrin për dy tendera rrugësh, Në Shqipëri kemi politikanin më të pasur, njeriu më i korruptuar në Europë, ndaj nëse ky nuk ndëshkohet, procedohet dhe hapet dosja për ndëshkim, nuk ka integrim. Këtë mund ta realizojë vetëm AK, ndaj shqiptarët duhet të mbështesin një lëvizje që mbron ndëshkueshmërinë. Berisha duhet të shkojë para ligjit dhe këtë e bën vetëm AK”, përfundoi zoti Spahiu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA