Kabineti gjerman miratoi ditën e enjte dërgimin e një numri të pacaktuar raketash “Patriot”, së bashku me një kontigjent prej 400 ushtarësh në Turqi.
Me këtë vendim, Berlini zyrtar ndërmerr hapin e parë në zbatimin e urdhërit të NATO-s për të vendosur raketa në kufirin turko-sirian, për të mbrojtur një vend anëtar si Turqia nga çdo rrjedhojë e mundshme e luftës civile në Siri.
Njëkohësisht, si një vend mbajtës i këtyre raketave të sofistikuara, Gjermania iu bashkua Shteteve të Bashkuara dhe Holandës, në vendimin për dërgimin e raketave në vendin aleat të aleancës më të fuqishme ushtarake ne bote.
”Transferimi i sistemeve mbrojtëse “Patriot”, në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë amerikane dhe atë holandeze nënvizon besueshmërinë dhe rëndësinë që i jep Gjermania pjesëmarrjes së saj në NATO”, lexohej në një komunikatë të Berlinit.
Më parë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, kishte shprehur shqetësimin e tij të thellë për stokun e armëve biologjike e kimike në Siri, duke theksuar rëndësinë e vendosjes së kapaciteteve mbrojtëse në Turqi.
Në disa episode gjatë tetorit, Turqia qëlloi me artileri në territorin sirian, pasi disa predha të lëshuara nga ushtria e Bashar al-Assad goditën një qytet kufitar, duke i marrë jetën pesë civilëve.
Në vazhdën e sulmeve, kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i kërkoi NATO-s që të ndërhynte për të mbrojtur vendin nga agresioni i fqinjëve jugorë, duke marrë një deklaratë të fuqishme mbështetëse nga vendet e tjera anëtare të Aleancës, përfshi Shqipërinë.
Top Channel