Ndërsa lufta në Siri po përshkallëzohet, presidenti Bashar al-Assad është duke marrë në konsideratë mundësinë e largimit nga vendi dhe po shqyrton mundësitë për të kërkuar strehim politik, së bashku me familjen e tij, në vendet e Amerikës së Jugut.
Lajmi u raportua të enjten në të përditshmen izraelite “Haaretz”, e cila citoi burime “të afërta” me al-Assadin, në mbështetjen e këtij lajmi.
Sipas gazetës, zëvendësministri i Jashtëm i Sirisë, Faisal al-Miqdad, realizoi së fundmi një udhëtim në Kubë, Venezuelë dhe Ekuador, për të dorëzuar letra personale të presidentit, i cili i pyeste autoritetet vendase për garancitë që mund t’i ofronin në rast se do të kërkonte strehim politik në këto shtete.
Megjithatë, nuk ka ende prova të qarta se Assad është i gatshëm të braktisë funksionin e tij dhe zyrtarë amerikanë, europianë apo arabë, kanë bërë të qartë se e ardhmja e vendit varet shumë nga vendimet personale që do të marrë kryetari i shtetit.
”Në mënyrë që dhuna të pushojë, regjimi i Assad duhet të vendosë që të marrë pjesë në këtë tranzicion politik, duke i dhënë fund luftës ndaj banorëve të tij”, u shpreh Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, përpara se të udhëtonte më parë gjatë javës në samitin e NATO-s në Bruksel.
Sipas ekspertëve, pavarësisht fuqizimit të kryengritësve në javët e fundit, ushtria e rregullt është ende në gjendje të mbrojë pozicionet dhe bazat e saj kyçe, por nuk është e aftë të realizojë një mësymje të gjerë, prandaj shpërndarja aktuale e forcave bën të besueshme vazhdimin e gjatë të konfliktit.
Siria, një vend me 22 milionë banorë, u përfshi nga një luftë civile në mars 2011 dhe që prej atëherë, mbi 40 mijë banorë kanë humbur jetën në përballjet e armatosura.
Top Channel