Kaka: Nuk jam i kënaqur tek Reali

05/12/2012 17:50

Autori i një goli në ndeshjen e Champions League kundër Ajax, Kaka pranoi disa orë më pas se ndihet i pakënaqur nga shanset e pakta në Madrid dhe se është duke marrë në shqyrtim mundësinë e largimit.

Në një intervistë për të përditshmen “AS”, ditën e mërkurë, braziliani pranoi se ka folur me klubin për të ardhmen e tij.

”Shpresoj të shënoj ende shumë gola për këtë skuadër, por nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Di që kam një kontratë deri në vitin 2015, por nga ana tjetër është e qartë se ashtu si çdo futbollist, as mua nuk më pëlqen të ngroh stolin”, deklaroi Kaka.

Pasi u afrua pranë një rikthimi të bujshëm tek Milani në merkaton e verës, ish-fituesi i Topit të Artë tashmë është shndërruar në një “fiksim” për Los Anxhelos Galaxy, klubin amerikan që ka identifikuar tek 30-vjeçari zëvendësuesin e përkryer për David Beckham.

”Për momentin nuk ka asnjë ide apo mundësi kalimi në asnjë klub tjetër. Unë vazhdoj të punoj për të mbajtur një formë sa më të mirë dhe për të luajtur sa më shumë minuta në këtë klub. Më pas, duhet të shohim se çfarë do të ndodhë dhe se çfarë qëllimesh ka klubi, pasi është e qartë që kjo nuk është një situatë e kënaqshme as për mua dhe as për Realin”, shtoi Kaka, i cili dëshiron të rikthehet të luajë në mënyrë të vazhdueshme, për t’u grumbulluar nga Brazili për Botërorin e vitit 2014.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA