Liga e Kampioneve luan sonte ndeshjet e fundit të fazës në grupe ku vëmendja është përqendruar në dy sfidat e grupit E, Shakhtar Donetsk-Juventus dhe Chelsea-Nordsjaelland.
Bardhezinjtë udhëtojnë në Donetskun e ftohtë me synimin e vetëm për të mos u mundur në mënyrë që të sigurojnë një vend për në 1/8 të kompeticionit, ndërsa blutë e Londrës përvec fitores “së detyrueshme” ndaj modestëve të Nordsjaelland, presin edhe fitoren e Shakhtar-it ndaj Juventusit.
Tjetër panoramë në grupin F, ku Bajern dhe Valencia do të luftojnë vetëm për të përcaktuar se kush do të jetë e para në grup. Gjermanët presin në shtëpinë e tyre skuadrën e Bate-s, që në ndeshjen e Minskut i mundi 3-1, ndërsa Valencia udhëton në Francë për t’u përballur me Lille-n, misioni i së cilës është fitorja me shpresën se Bate do të humbë ndaj Bajernit për të siguruar biletën e vetme për në Ligën e Europës.
Në grupin G, Barcelona ka siguruar kualifikimin dhe kreun e grupit, ndërsa Benfika dhe Celtic luftojnë për biletën e dytë për në fazën e mëtejshme. Portugezët do të luajnë në Camp Nou përballe katalanasve të pamotivuar, ndërsa skocezët presin në shtëpinë e tyre rusët e eleminuar të Spartakut të Moskës.
E njëjta situatë është edhe në grupin H, ku Manchester United përvec kualifikimit ka siguruar edhe kreun, ndërsa rumunët e Cluj dhe turqit e Gallatasaray luftojnë për biletën e dytë. Skuadra rumune do të luajë përballë Manchester në Angli, ndërsa turqit e Terim do të udhëtojnë drejt Portugalisë me objektivin e vetëm fitoren, përballë vendasve të Bragës, skuadër e eleminuar.
Top Channel