Diakite, “molla e sherrit” Lacio-Inter

05/12/2012 00:00

Ndeshja Juventus-Inter, e përfunduar me fitoren 1-3 të zikaltërve në Torino, ngrohu marrëdhëniet mes Lacios dhe skuadrës milaneze.

Bardhekaltërit uruan skuadrën e Morattit për fitoren mëse të merituar “pavarësisht favorizimeve të gjyqtarit”. Por “miqësia” nuk zgjati shumë dhe dy kampet janë rikthyer në llogoret e luftës mediatike.

Presidenti i Lacios, Lotito akuzoi Interin se ka firmosur fshehurazi, duke anashkaluar klubin e tij, me lojtarin bardhekaltër, Diakite. Akuzat kanë qenë të rënda ndaj zikaltërve dhe në harkun kohor të pak javëve, përsëriten dy herë.

Por nëse herën e parë, presidenti i Interit, Massimo Moratti zgjodhi të mos replikojë, këtë herë ka vepruar ndryshe.

“Diakite? Kur lexova fjalët e Lotito-s telefonova bashkëpunëtorët e mi në orën 1 të natës duke u kërkuar të di se kush ishte ky lojtar, pasi as emrin nuk ia mbaja mend. Nuk e di pse Lotito këmbëngul se ne kemi një kontratë me lojtarin. Ndoshta është një lojtar i mirë, por ne nuk kemi asnjë parakontratë me të. Kurrë s’na ka shkuar ndërmend diçka e tillë”, deklaroi Moratti.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta