Champions, Chelsea dorëzon kurorën

05/12/2012 23:52

Me tetë skuadrat e kualifikuara sot është plotësuar 16-shja e fazës tjetër të Champions League.

Juventus, jo vetëm që është kualifikuar përballë Shakhtar, por edhe ka arritur të fitojë me skuadrën ukrainase, duke marrë kreun e grupit E në kuotën e 12 pikëve, ndërkohë që skuadra e Lucesku-t, falë golave në fushën kundërshtare në përballjet me Chelsea, mban vendin e dytë në grup për të kaluar më tej, ndërsa kampionët në fuqi, edhe pse shkatërruan 6-1 Nordsjaelland, dorëzuan kurorën e Champions-it që në fazën e grupeve, për të luajtur në raundin tjetër në kupën Europa League.

Bayern e mbyll si kokë grupi këtë fazë, pasi ka mundur 4-1 BATE Borisov. Edhe pse në pjesën e dytë bavarezët luajtën me 10 lojtarë, pas daljes me kartonin e kuq të Boateng, shënuan plot 4 herë në portën kundërshtare, mes autorëve edhe mesfushori me origjinë shqiptare, Xherdan Shaqiri.

Fitorja e Valencia-s me Lille 0-1, i kualifikon spanjollët për më tej, por në vendin e dytë, ndërkohë që skuadra franceze mbetet në Europa League.

Kualifikimi i Barcelonës zbehet disi, jo vetëm për barazimin 0-0 në ndeshjen e fundit me Benfika-n, por sepse i është dëmtuar Lionel Messi, ylli argjentinas i cili ishte në prag të rekordit të Muller-it, duke i mjaftuar vetëm një gol.

Me këtë barazim, Benfika zbret në kupën Europa League, ndërkohë që Celtic ia del mbanë të kalojë më tej, pasi mundi Spartak Moskoë 2-1.

Dy skuadrat e tjera të kualifikuara janë Manchester United dhe Gallatasaray. Britanikët e kishin siguruar më parë dhe në ndeshjen e fundit, me humbjen përballë Cluj-it, i dhanë mundësinë këtyre të fundit të luajnë në raundin tjetër në kupën Europa League, ndërsa Braga u mund edhe në këtë ndeshje të fundit nga skuadra turke e Gallatasaray-t me rezultatin 1-2.

Çiftet e ardhshme të Champions League, por edhe të kupës Europa League, do t’i mësojmë më 20 dhjetor, kur do të hidhet edhe shorti për raundin tjetër.

Top Channel

BIG BROTHER BIG BROTHER - Portokalli - AG SHOW - Bileta