Drejtori për Çështjet e Evropës Qëndrore të Departamentit të Shtetit, Jonathan Moore u takua me kryeministrin Sali Berisha dhe sipas njoftimit zyrtar, biseda ka prekur disa çështje të rëndësishme për politiken e brendshme dhe atë të jashtme.
Përsa i përket zhvillimeve të brendshme, duke theksuar reformat e ndërmarra për luftën kundër korrupsionit, kryeministri Berisha u shpreh se lufta dhe dënimi i veprave korruptive është e një rëndësie themelore.
Në këtë kuadër, kryeministri vlerësoi se zgjedhja e prokurorit të ri të përgjithshëm do të hapë një kapitull të ri dhe cilësor në luftën kundër korrupsionit nga organi i prokurorisë.
Kryeministri çmoi cilësitë profesionale dhe integritetin e kandidaturës së dekretuar nga presidenti i Republikës për këtë post, si një kandidaturë që sipas tij, do t’i japë tonin e duhur këtij organi për një luftë pa kompromis dhe në mënyrë të paanshme dhe të pavarur ndaj korrupsionit dhe krimit.
Gjithashtu, kryeministri Berisha e siguroi zotin Moore se zgjedhjet e 23 qershorit 2013 do të jenë të lira e të ndershme dhe shprehu besimin se si qeveria edhe opozita kanë interes të përbashkët në arritjen e standarteve më të larta ndërkombëtare dhe ftoi që Shtetet e Bashkuara të dërgojnë numrin më të madh të vëzhguesve.
Gjatë takimit mes kryeministrit dhe zyrtarit te Departamentit amerikan të Shtetit është trajtuar edhe çështja e integrimit, ku zoti Moore, siç thuhet në njoftimin zyrtar, vlerësoi përpjekjet, lidershipin dhe angazhimin e kryeministrit Berisha në proçesin e integrimit evropian të vendit.
Duke e siguruar kryeministrin për mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për këtë proçes, në njoftim thuhet se zyrtari i Departamentit të Shtetit “shprehu keqardhjen që miratimi i tre ligjeve nuk pati mbështetjen e nevojshme në Parlamentin e Shqipërisë dhe inkurajoi vazhdimin e përpjekjeve në këtë drejtim”.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha, duke vlerësuar zhbllokimin e proçesit politik dhe miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, ndër të cilat Kodin Zgjedhor dhe ndryshimin e Kushtetutës për imunitetet, shprehu keqardhjen për vendimin e liderit të opozitës për bllokimin, sipas tij të paarsyeshëm, të tre ligjeve të kërkuara nga Komisioni Evropian.
Përsa i takon politikës së jashtme, pasi vlerësuan mesazhet që dha në Shqipëri sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton, zoti Moore falenderoi kryeministrin Berisha për kontributin e Shqipërisë në kuadrin e NATO-s dhe përkrah SHBA si një aleat besnik dhe i angazhuar për kauzën e lirisë, demokracisë dhe luftën kundër terrorizmit në botë.
Ai gjithashtu përcolli vlerësimet për votimin e Shqipërisë mbi rezolutën për Palestinën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, si dhe qëndrimin dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit.
Kryeministri Berisha e siguroi zotin Moore se Shqipëria do të vazhdojë të jetë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Kryeministri theksoi se progresi dhe forcimi i të drejtave të shqiptarëve në rajon është veçse në të mirën e stabilitetit dhe paqes së tij.
Top Channel