Egjipti në terr informativ

04/12/2012 00:00

Mediat kritike ndaj presidentit egjiptian, Mohamed Morsi “mbyllën gojën” ditën e martë në respektim të grevës 48 orëshe kundër projekt-kushtetutës dhe dekretit të kaluar pak ditë më parë prej presidentit, ku ai u heq të drejtën të gjitha institucioneve të tjera për të rrëzuar vendimet e tij.

Gazetat dolën në treg me një numër simbolik faqesh të bardhë, ndërsa të tjera u hapën me titullin “Jo diktaturës”, shoqëruar me foto ilustruese. Katër televizionet private do të mbështesin protestën duke ndërprerë sinjalet e transmetimit ditën e mërkurë.

Presidenti Morsi ka ftuar egjiptianët të votojnë më 15 dhjetor në një referendum për miratimin ose jo të projekt-kushtetutës. Mediat dhe gazetarët kundërshtojnë nenin 48 të këtij projekti, nen që bën fjalë për lirinë e medias.

Sipas këtij neni, liria e mediave lidhet ngushtë me “strukturën e shoqërisë dhe sigurinë kombëtare”. Ky përcaktim kundërshtohet fort nga gazetarët egjiptianë që deklarojnë se terminologjia e përdorur lë hapësirë për abuzime dhe shtypjen e zërit të lirë në emër të “strukturës shoqërore dhe sigurisë kombëtare” me anë të ligjeve të caktuara që mund të pasojnë Kushtetutën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA