Champions, mbyllin ndeshjet 4 grupet e para

04/12/2012 23:20

Ka përfunduar faza e grupeve të Champions-it për një pjesë të skuadrave, ku surpriza më e madhe mbetet eliminimi, pa asnjë fitore, i skuadrës së superpaguar Manchester City.

Gjashtë ndeshje, asnjë fitore për skuadrën e Mancini-t, e cila në këtë ndeshje të fundit është mundur nga Dortmund me rezultatin 1-0. Gjermanët e drejtuar nga Klopp, me këtë fitore, shkojnë në kuotën e 14 pikëve dhe mbajnë kryesimin e grupit, duke u kualifikuar për më tej bashkë me Real Madrid.

Spanjollët kanë fituar 4-1 përballë Ajax në “Santiago Bernabeu”, duke u kualifikuar si të dytët për në fazën tjetër, që do të thotë se i pret një skuadër e madhe, një tjetër kokë grupi. Nga ana tjetër, skuadra simpatike e Ajax, pavarësisht kësaj humbjeje, ka siguruar kualifikimin për në kupën Europa League.

Milani humbet 0-1 në ndeshjen e fundit, e cila u konsiderua si një “turn over” për trajnerin Allegri, i cili kishte vendosur të luante me një sërë lojtarësh të paaktivizuar në ndeshjet e fundit.

Kjo fitore e Zenit-it të Spalletti-t e çon skuadrën ruse direkt në kupën Europa League. Pika e marrë nga Anderlecht, në përballjen me Malaga-n, ndeshje që e barazuan 2-2, nuk e ndihmon skuadrën belge, ndërkohë që Malaga është kryesuesja e grupit C.

Arsenali është mundur 2-1 nga Olympiakos në Athinë, duke i dhënë mundësinë skuadrës greke të mbajë vendin e tretë në grup dhe të kalojë në veprimtarinë tjetër europiane. Vetë topçinjtë kalojnë në 16-shet e Champions-it bashkë me Schalke, e cila kryeson grupin B me 12 pikë, pas barazimit 1-1 me Montpellier, skuadër që e mbyll këtu aventurën europiane.

Në grupin A, PSG arrin të fitojë duelin për kreun, duke mundur 3-2 Porto-n në Francë. Skuadra e Ancelotti-t kalon për më tej si kokë grupi, ndërsa portugezët i ndjekin në vendin e dytë. Dinamo Kiev fiton edhe ndeshjen e fundit përballë Dinamo Zagreb, duke e merituar pjesëmarrjen në kupën Europa League, ndërkohë që skuadra kroate mbyll fazën e grupeve të Champions-it me 0 pikë, nga 6 ndeshje të luajtura.

Tashmë priten ndeshjet e tjera të së mërkurës, për të kompletuar grupin e 16 skuadrave, që vazhdojnë rrugën në Champions, dhe pjesës tjetër, që kalojnë në kupën Europa League.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA