Shtohet presioni ndërkombëtar ndaj Izraelit

03/12/2012 15:30

Britania dhe Franca thërritën për sqarim ambasadorët izraelitë, në lidhje me vendimin e Tel Avivit për të vazhduar ndërtimin e tre mijë vendbanimeve të reja në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin e lindjes.

Në dy komunikata të ndryshme gjatë së hënës, Parisi dhe Londra zyrtare theksonin se vendimi për të thërritur ambasadorët merrej për shkak të dyshimeve mbi angazhimin e vërtetë të Izraelit për bisedimet e paqes me palestinezët.

Izraeli autorizoi ndërtimin e tre mijë vendbanimeve të reja në një zonë nevralgjike të Bregut Perëndimor, një ditë pasi Organizata e Kombeve të Bashkuara vendosi që të aprovonte për Palestinën statusin e një anëtari me të drejta të pjesshme.

Në një komunikatë, OKB e konsideroi vendimin e Tel Avivit si një “goditje fatale” për shpresat e paqes.

Shqetësim në lidhje me këto plane ka treguar edhe Uashingtoni. Rusia dhe Gjermania kanë shprehur “shqetësimin e tyre të thellë” në lidhje me këto plane, ndërsa Suedia veproi si dy superfuqitë e tjera europiane, duke tërhequr edhe ajo ambasadorin e saj nga Tel Avivi.

Kryeministri izraelit reagoi për vendimin e Francës, Britanisë dhe Suedisë për të tërhequr ambasadorët duke shprehur këmbënguljen e qeverisë së tij për të vazhduar me planet për ndërtimin e vendbanimeve të reja, pavarësisht asaj që ai e quajti “presion ndërkombëtar”.

“Izraeli do të vazhdojë të vendosë si parësore interesat e tij kryesore për sigurinë dhe çështje të tjera jetësore, ndaj vendimi për ndërtimin e 3 mijë vendbanimeve mbetet në fuqi”, thuhet në deklaratën e Netanjahut.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA