Pentagoni ka një plan ambicioz për krijimin e një rrjeti zbulimi, që do të rivalizonte Agjencinë amerikane të Zbulimit, CIA, sa i takon numrit të punonjësve.
Në një artikull të shkruar në “Washington Post” thuhet se projekti synon të transformojë Agjencinë e Zbulimit për Mbrojtjen, DIA, në një shërbim spiunazhi të përqendruar tek kërcënimet e ndryshme ndaj vendit, në bashkëpunim të ngushtë me CIA-n dhe njësitë e tjera ushtarake elitë.
Siç shkruan prestigjozja amerikane, DIA do të zgjerohet në mbarë botën ku mendohet të punësohen rreth 1 mijë e 600 persona, mes të cilëve ushtarakë të cilët do të mbledhin të dhëna të zbulimit.
Ndërkohë, vetë CIA vazhdon të jetë “jetime” pas dorëheqjes së muajit të kaluar të shefit të saj David Petraeus, për shkak të një marrëdhënieje jashtëmartesore.
Më herët gjatë muajit “WP” njoftonte se John O. Brennan, këshilltar i presidentit Obama kundër terrorizmit, konsiderohej një kandidat potencial për drejtimin e CIA-s.
Vetë Obama ka në plan t’i kërkojë senatorit John F. Kerry që të pranojë detyrën e sekretarit të Mbrojtjes, si pjesë e një riformatimi të ekipit të sigurisë kombëtare.
Top Channel