Egjipt, protestat nuk ndalen

03/12/2012 00:00

Protestat e mbështetësve të presidentit Mohamed Mursi kanë penguar takimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë Kushtetuese të Egjiptit në kryeqytetin Kajro duke vonuar kështu dhënien e vendimit të saj mbi draft-kushtetutën e miratuar në parlament.

Qindra vetë u grumbulluan me qëllimin të bllokonin dhënien e vendimit që mund të vërë në pikëpyetje ligjshmërinë e dokumentit. Mursi e deklaroi nga ana e tij se një referendum mbi kushtetutën do të mbahet në 15 dhjetor.

Kundërshtarët e draftit pretendojnë se ai minon të drejtat bazë e shkel vlerat universale. Përpjekjet tona kundër aprovimit të tij do të vazhdojnë, shkruante në Tëitter të shtunën një nga figurat më të spikatura të opozitës egjiptiane, Mohamed el Baradei.

Vonesa është më e fundit e një serie përplasjesh mes Mursit dhe mbështetësve të tij të Vëllazërisë Islamike nga njëra anë e kundërshtarëve të vet përgjithësisht laike dhe gjyqësorit nga ana tjetër.
 

Presidenti i dha vetes fuqi shtesë me dekretin e datës 22 nëntor ku e zhvishte gjyqësorin nga çdo mundësi për të sfiduar vendimet e tij. Edhe pse nuk dihet sesa efekt mund të ketë vërtet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ekspertët mendojnë se për çdo rast ai do të përbëjë një sfidë direkte ndaj Mursit e do të forcojë fushatën e opozitës për shfuqizimin e dekretit polemizues.

Të enjten, kreu i shtetit deklaroi se dekreti i tij ka për të skaduar menjëherë pasi njerëzit të votojnë për kushtetutën e re, por opozita nuk është e bindur se kjo do të ndodhë vërtet dhe pretendon se Morsi nuk është aspak siç thotë, president i të gjithë egjiptianëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA