Talebanët realizuan një seri sulmesh vetvrasëse ndaj një baze ajrore amerikano-afgane në lindje të Afganistanit, raportuan të dielën mediat ndërkombëtare.
Burimet e Shërbimeve të Fshehta Afgane thanë për “BBC” se të paktën tetë kamikazë u përfshinë në këtë sulm të koordinuar pranë Jalalabadit.
Të gjithë agresorët u neutralizuan nga forcat e NATO-s, ndërsa në shkëmbimin e zjarrit humbi jetën edhe një ushtar afgan.
Besohet se talebanët kishin një plan për t’u infiltruar fillimisht në bazë, ku mund të bënin më shumë dëme me shpërthimin e bombave të mbajtura në trup.
Megjithatë, aftësia e talebanëve për t’iu afruar perimetrit të bazës dhe për të organizuar një sulm ndaj një baze të NATO-s, ngre dyshime serioze mbi aftësinë e trupave qeveritare për të kontrolluar situatën e rendit në vend, pas tërheqjes përfundimtare të trupave aleate në vitin 2014.
Aktualisht, NATO ka 130 mijë trupa në reduktim të vazhdueshëm në Afganistan, midis të cilëve 440 ushtarë shqiptarë.
Top Channel