“Piratët” e Karaibeve vjedhin 70 kallëpe ari

01/12/2012 00:00

Këtë herë piratët e Karaibeve, edhe pse termi më i përshtatshëm është
“hajdutë”, kanë realizuar një grabitje me të vërtetë spektakolare, 70
kallëpe ari me vlerë mbi 11 milionë dollarë.

Një histori kjo, ku nuk mungojnë paqartësitë dhe elementët që duhen sqaruar. Sipas një rindërtimi paraprak të ngjarjes, banditët kanë hipur në agim në bordin e “Summer Bliss”, një peshkarexhë që ndodhej në portin e Kurakaos.

Në raftet e varkës ndodhej ngarkesa, të cilën, duke mbajtur nën kërcënimin e armëve kapitenin dhe marinarët, kriminelët e kanë ngarkuar në tre vetura dhe më pas janë arratisur pa lënë gjurmë.

Rezulton se banditët kanë arritur të hyjnë në zonën e portit duke veshur uniforma të falsifikuara të agjentëve të sigurisë, të cilat megjithatë mund të dalloheshin lehtë, sipas një dëshmitari.

Një funksionar lokal ka sqaruar se autoritetet ishin lajmëruar për mbërritjen e “Summer Bliss”, por ka refuzuar të saktësojë identitetin e marrësit të arit.

Një anëtar i ekuipazhit ka deklaruar se varka ishte nisur katër ditë më parë nga Gujana, me kallëpet e arit në bord për t’ia dorëzuar një kompanie në Kurakao.

Mbetet për t’u zbuluar se si ngarkesa është transportuar nga një peshkarexhë në gjendje jo të mirë dhe jo me avion, siç bëhet zakonisht për porosi të tilla.

Një tjetër habi është përse në bord nuk ndodheshin roje të armatosura. Kapiteni ka dhënë këtë përgjigje: “S’kemi pasur kurrë roje. Edhe në raste të tjera kur kemi transportuar kemi udhëtuar kështu”. Ka mundësi që banditët ta kenë ditur këtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA