Zotëron aksione në kompani që kanë bërë biznese me Iranin, edhe pse siç dihet, me Teheranin nuk ka më marrëdhënie.
Është kjo akuza e fundit e ngritur nga republikanët amerikanë kundër Susan Rice, ambasadorja e SHBA në OKB, që mund të zëvendësojë Hillary Clinton. Lajmi është bërë i ditur nga “Washington Post”.
Gjithashtu, senatorët republikanë kanë hedhur akuza ndaj diplomates për qëndrimin e saj në lidhje me sulmin ndaj konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë.
Në disa intervista Rice kishte thënë se, sulmi ishte një përgjigje spontane ndaj filmit që vinte në lojë profetin Muhamed.
Deklarata, që sipas republikanëve synojnë të dezinformojë publikun dhe të largojnë vëmendjen nga të dhënat e shërbimeve sekrete, sipas të cilave ishte një sulm terrorist.
Më herët gjatë muajit “WP” njoftonte se presidenti amerikan Barack Obama do t’i kërkojë senatorit John F. Kerry që të pranojë detyrën e sekretarit të Mbrojtjes, si pjesë e një riformatimi të ekipit të sigurisë kombëtare, që do të përfshijë edhe zëvendësimin e drejtorit të dorëhequr të CIA-s, David Petraeus.
Edhe pse Kerry thuhet se dëshiron detyrën e sekretarit të Shtetit, zyrtarët e administratës shpreheshin të bindur për gazetën, se ky post do t’i shkojë ambasadores amerikane në OKB.
Ndërsa John O. Brennan, këshilltari i presidentit kundër terrorizmit, konsiderohej një kandidat potencial për drejtimin e CIA-s, pas dorëheqjes së papritur të Petraeus.
Top Channel