Kryeministri i Japonisë, Yoshihito Noda, anulloi një vizitë zyrtare në Rusi për shkak të problemeve shëndetësore të Presidentit Vladimir Putin.
Lajmi u raportua të premten nga mediat japoneze, që thellojnë dyshimet mbi problemet e Putin, pas një aksidenti që besohet se pësoi duke praktikuar xhudo.
Ishte kryebashkiaku i qytetit japonez të Nemuros, ai që deklaroi publikisht se Noda i kishte thënë personalisht gjatë një takimi në Tokio arsyet e anullimit.
Megjithatë, lajmi u përgënjeshtrua në mënyrë të menjëhershme nga Kremlini, me zëdhënësin Dmitry Peskov që tha se gjendja shëndetësore e Putin nuk e pengon atë që të punojë.
Peskov, gjithashtu mohoi që takimi të ishte anulluar: “Një takim zyrtar me kryeministrin e Japonisë nuk ishte përcaktuar asnjëherë konkretisht. Ne po punojmë me autoritetet japoneze për të organizuar këtë vizitë dhe besojmë se do të ndodhë rreth gjysmës së dytë të janarit”.
Aktualisht, është e paqartë se cila është gjendja e vërtetë shëndetësore e kreut të shtetit rus, i cili u aksidentua më parë gjatë nëntorit gjatë një dyluftimi xhudoje.
Top Channel