Izraeli, 3 mijë ndërtime të reja në territore

30/11/2012 16:00

Izraeli ka autorizuar ndërtimin e 3 mijë shtëpive të tjera në territoret e pushtuarra palestineze, njoftojnë mediat ndërkombëtare.

Sipas raportimeve të BBC, mendohet se shtëpitë do të ndërtohen në Jeruzalemin lindor dhe në Bregun Perëndimor.

Nga ana tjetër, Autoriteti Palestinez ka deklaruar se nuk do të rikthehet në bisedime pa një ndërprerje të ndërtimeve në këto territore.

Vendimi i Izraelit vjen një ditë pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ngriti gradën e statusit të Palestinës në atë të shtetit vëzhgues jo anëtar.

Sipas gazetës izraelite “Haaretz”, disa nga njësitë e reja të shtëpive do të jenë mes Jeruzalemit dhe zonës së quajtur Maleh Adumim.

Planet për ndërtimin e shtëpive në këtë zonë, e njohur ndryshe si E1, kundërshtohen ashpër nga palestinezët, që thonë se ndërtimet e reja do ta ndajnë në dy pjesë Bregun Perëndimor, duke penguar kështu krijimin e shtetit palestinez.

Organizata e Kombeve të Bashkuara votoi për njohjen e Palestinës si një anëtar me statusin e vëzhguesit, një lëvizje e kundërshtuar fuqishëm nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në votimin e mbajtur në orët e para të së premtes, SHBA nuk mundi të ushtronte të drejtën e vetos, pasi votimi u realizua në Asamble dhe jo në Këshillin e Sigurimit.

Ashtu siç ishte parashikuar, edhe votimet treguan se Palestina gëzonte mbështetjen e shumicës së vendeve anëtare, duke fituar anëtarësimin pa të drejtë votimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA