Futbolli shqiptar, më i korruptuari në botë

30/11/2012 00:00

Alarmin e paralajmëruar prej mëse një viti nga Top Channel me disa raporte për ndeshje të dyshuara si të trukuara në kampionatin tonë, e konfirmon tashmë raporti përfundimtar i Sport Radar-it, shoqata lider në botë për monitorimin e kuotave të basteve dhe fluksit të qarkullimit të parave.

Janë rreth 400 kompani ndërkombëtare që janë mbajtur nën vëzhgim për një periudhë kohore nga qershori 2009 në nëntorin e vitit 2012. 14 raportet e publikuara në Top Channel ishin vetëm maja e ajzbergut, pasi raporti përfundimtar na nxjerr si kryesuesit e listës, si vendi me futbollin më të korruptuar në botë, me 97 raporte ndeshjesh të dyshurara si të trukuara.

Gjatë periudhës prej rreth dy vite e gjysmë janë vëzhguar 143.472 ndeshje në 596 kampionate, turne e aktivitete të ndryshme futbollistike. Nëse në total të kësaj analize rezultati mund të duket pozitiv për SportRadar me vetëm 0,56% të ndeshjeve në total të manipuluara, për ne nuk mund të thuhet gjë tjetër veç aftësisë që po tregojmë për të bashkëjetuar me këtë kancer të futbollit.

Pak kohë më paraë Federata Sqhiptare e Futbollit vendosi të mos zhvillohen më ndeshje të kampionatit shqiptar ditën e premte apo të hënë, një vendim ky që nënkuptimin e kishte të qartë, frenimin e këtyre ndeshjeve të fiksuara, të cilat po bëheshin pjesë normale e kampionatit tonë.

Pjesa e parë e masave është bërë, për tjetrën Prokuroria pret ende fakte…

Reagon FSHF, pas lajmit për futbollin e korruptuar



DEKLARATE PËR SHTYP

Federata Shqiptare e Futbollit, duke u nisur nga një informacion i bërë publik në media, i cili nuk është i panjohur dhe që ka të bëjë me dyshimet e Kompanive të Basteve Ndërkombëtare mbi trukimet e ndeshjeve të futbollit në kampionatet shqiptare, shpreh edhe një herë qëndrimin e saj zyrtar.

Federata Shqiptare e Futbollit është distancuar kurdoherë me forcë dhe ka marrë masa, përballë dyshimit rreth trukimit apo fiksimit të rezultateve në ndeshjet e futbollit të kampionateve shqiptare.

Menjëherë pas shfaqjes së këtij fenomeni, Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë ndryshimet e nevojshme në statut, propozoi Kodin e Etikës, që u aprovuan nga Asambleja e Përgjithshme e FSHF-së, e cila zgjodhi dhe emëroi Komisionin e Etikës.

Ky Komision, i cili vepron në mënyrë të pavarur, heton, mbledh fakte, argumente dhe shpjegime, mbi të cilat rrjedh vendimmarrja. Për të qenë sa më konkret dhe sa më pranë strukturave të UEFA-s, Federata Shqiptare e Futbollit emëroi oficer-specialistin e integritetit, i cili pret raportet e ardhura nga UEFA dhe bën koordinimin e tyre me Komisionin e Etikës.

Nëpërmjet miratimit në Asamblenë e Përgjithshme, FSHF-ja zgjeroi nga 2 në 6 numrin e Inspektorëve të Disiplinës, të cilët, në mënyrë profesionale e të pavarur, punojnë në terren për të mbledhur sa më shumë fakte dhe informacione, të cilat ia paraqesin Komisionit të Etikës.

Mbërritur në këto koordinata dhe e ballafaquar me këtë situatë, FSHF-ja kërkon nga Komisioni i Etikës një hetim të thellë, gjykim të ftohtë e të paanshëm dhe vërtetimin sa më shpejt të dyshimeve, që ngrenë Kompanitë e Basteve Ndërkombëtare.

Federata Shqiptare e Futbollit është e vetmja në Europë, që raportet e mbërritura në zyrat e saj i ka bërë publike në kanalet televizive Kombëtare të Shqipërisë, duke i paraqitur ato realisht dhe nën komentin e Sekretarit të Përgjithshëm.

Brenda të gjitha kërkesave, rregullave e ligjeve aktuale në vendin tonë, Federata Shqiptare e Futbollit ka dorëzuar për hetim ligjor, disa raste të dyshuara për trukim në organin e Prokurorisë.

Krahas të gjitha këtyre masave, të cilat konsistojnë në planin organizativ, etik, profesional e ligjor, Federata Shqiptare e Futbollit është e vendosur të mos e ndalojë asnjëherë luftën kundër këtij fenomeni, i cili për fat të keq është përhapur kudo në Europë e në Botë.

Për të qenë kjo luftë sa më e saktë, e shpejtë dhe efikase, FSHF-ja shtrin dorën e bashkëpunimit dhe mirëpret këdo shoqatë, media, institucion shoqëror e ligjor, forum apo individ, të bëhet pjesë e këtij fronti për të mirën e futbollit në Shqipëri.

FEDERATA SHQIPTARE E FUTBOLLIT
Tiranë më 30.11.2012
 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta