Të gjithë rrugët kryesore të Damaskut janë mbyllur dhe asnjë fluturim nuk është ulur në vend që prej mëngjesit të së enjtes, pasi kryengritësit dhe trupat qeveritare janë duke zhvilluar luftime të ashpra për kontrollin e aeroportit kryesor në vend.
“Emirates Airlines” dhe “Egypt Air” anulluan fluturimet e tyre drejt kryeqytetit sirian, duke bërë që vendi të mbetet pa asnjë lidhje ajrore me botën, pasi këto janë dy linjat e vetme që vazhdojnë të operojnë me Sirinë.
Kontrolli mbi aeroportin ndërkombëtar të Damaskut konsiderohet si një avantazh thelbësor, në ecurinë e luftës civile të nisur në mars 2011 dhe që i ka kushtuar jetën rreth 40 mijë sirianëve deri tani.
Luftimet e ashpra të së enjtes erdhën ndërsa për herë të parë në vend rrjeti telefonik dhe interneti u bënë të papërdorshëm në të gjithë Sirinë, për arsye ende të papërcaktuara qartë.
Ndërkohë, banorët e Damaskut raportuan për mediat ndërkombëtare se autoritetet kanë nisur një ofensivë të paprecedent në zonat lindore të kryeqytetit.
Top Channel