Rrufeja godet avionin e Finit

29/11/2012 00:00

Një rrufe ka goditur avionin me të cilin kryetari i Dhomës italiane të Deputetëve Gianfranco Fini po kthehej nga Tirana, ku kishte marrë pjesë në festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë.

Zëdhënësi i Finit ka bërë të ditur se avioni, që udhëtonte në mbrëmje vonë, nuk ka pësuar dëmtime dhe se gjithçka ka shkuar më së miri, përveç frikës së madhe në bord.

Me humor në Twitter, zëdhënësi shkruan se, avioni dukej sikur ishte futur në një llampë elektrike.

Kryetari i Dhomës së Deputetëve, gjatë vizitës së tij të shkurtër në Tiranë zhvilloi një takim me kryeministrin shqiptar, zotin Sali Berisha dhe me kryetaren e Parlamentit, zonjën Jozefina Topalli.

Gjatë bisedave Gianfranco Fini u shpreh se, ka vlerësuar shumë rolin e Shqipërisë në Ballkan, një rol sipas tij stabilizues dhe i moderuar.

Eksponenti i lartë i politikës italiane u shpreh se, “tek kryeministri shqiptar ka parë gjithnjë një krenari identiteti dhe një patriotizem, që në asnjë mënyrë nuk është theksuar e nuk ka rrezikuar të rrëshqasë në pozicione më nacionaliste”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA