Mrekullohemi nga aktet e tyre mirëbërëse. Dhurime që i kalojnë kufijtë për ndihmë e kontribut personal, por që shkojnë për ndërtimin e veprave shumë më madhore dhe që i shërbejnë një komuniteti e brezash të tërë. Këta janë filantropët.

Njerëzit e kamur që një pjesë të konsiderueshme të pasurisë, për hir të idealeve, e vënë në dispozicion për ndërtimin e veprave që synojnë përmirësimin e shoqërisë.

Historia e Shqipërisë ka njohur shumë të tillë. Edhe pse në të tashmen janë zbehur shumë aktivitetet filantropike, gjurmë të saj ndër shqiptarët evidentohen që në Mesjetë. Në një studim të organizatës “Partnerët Shqipëri për Zhvillimin e Filantropisë”, përmendet se ky aktivitet mirëfilli nisi të marrë tipare të veçanta në shekullin e 19. Sipas këtij studimi, gjatë Mesjetës, në themel të veprimtarisë mirëbërëse qëndronte Kisha, por pas pushtimit osman, i vetmi mirëbërës që përmendet është Iljaz bej Mirahori, i cili ngriti në Korçe një sërë fondacionesh bamirëse myslimane.

Dhe në aktivitetet e filantropisë do të shquhet veçanërisht Korça. Një nga autoritetet më të njohura në shek. 17 dhe 18 ka qenë Joasaf Korça nga Voskopoja. Ndihmoi ngritjen e shtypshkronjës së Voskopojës, Shkollës Akademia e Re dhe një shkolle për djem në Varosh të Korçës.
 
Por, një ndër filantropët më të shquar me prejardhje shqiptare është Vangjel Zhapa, nga fshati Labovë e Madhe në Gjirokastër. I lindur në vitin 1800 në një familje të varfër, ai migroi që 14 vjeç në Janinë. Aty mori formimin e tij mjekësor, çka i ndryshoi të ardhmen. Emigroi në Rumani në 1930 dhe aty profesioni i tij si mjek i shërbeu për të fituar pasuri të patundshme të cilat i mirëadministroi dhe u pasurua shumë. Beqar i përjetshëm, Vangjel Zhapa vendosi që pasurinë e tij ta përdorte për vepra bamirësie dhe filantropike. Aktiviteti i tij filantropik u shtri në Rumani, Greqi dhe Shqipërinë e Jugut. Ishte ai që financoi botimin e abetares së parë shqipe të bërë nga Naum Veqilharxhi, mbështeti krijimin e një afabeti të shqipes mbi baza të alfabetit grek, kontribuoi në themelimin e gazetes shqip “Pellazgu”, në Lamia të Greqisë, finacoi çeljen e shkollave në një varg fshatrash ortodokse në Gjirokastër dhe Vlorë.

Financoi gjithashtu rifillimin e Lojërave Olimpike në Athinë dhe së bashku me shqiptarë të tjerë të pasur, financuan ndërtimin e veprave të rëndësishme publike në Athinë, që nga Universiteti, Biblioteka Kombëtare dhe deri Akademia Greke. Në këtë studim, vërehet se Përmeti, në raport me popullsinë, është nga trevat shqiptare që ka nxjerrë më shumë mirëbërës. Ndër të parët ka qenë Pano Zoto, tregtar i madh, i cili më 1778 ngriti një shkollë me 7 klasa.

Bashkëkohës i tij ka qenë edhe Arsaq Hotova, i cili ndihmoi në ngritjen e një shkolle bujqësore në Përmet.
 
Në fushën e filantropisë, krahina e Korçës zë një vend nderi. Një nga filantropët më të njohur të kësaj krahine është Anastas Avram Lakçe, i cili kontribuoi në ngritjen e shkollave shqipe në Korçë e ndër të tjera financoi botimin e disa veprave të Naim Frashërit, mes të cilave edhe Bagëti dhe Bujqësi.
 
Kanë qenë te filantropët shqiptarë gjatë këtij shekulli, ku Vlora, Berati, Elbasani, Tirana dhe Shkodra kanë pasur dhe ato mirëbërësit e tyre.

Por, gjatë regjimit komunist filantropia në Shqipëri pësoi një zbehje për tu ringjallur pas viteve ‘90, ku nisi të forcohej inisiativa private. Janë kryesisht kompani të njohura dhe organizata të ndryshme që veprojnë në këtë fushë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA