SHBA: Kina nuk është manipuluese

28/11/2012 08:40

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën që të mos ta deklarojnë Kinën si manipuluese të monedhës vendase për përfitim të avantazheve të padrejta në tregjet nderkombetare.

Megjithatë, Zyra e Thesarit theksoi se “juani mbetet ende së tepërmi i zhvlerësuar” dhe i kërkoi Pekinit që të marrë masa për të ndryshuar këtë situatë.

Në raportin e përpiluar një herë në gjashtë muaj, Kina i shpëtoi vlerësimit si “manipuluese”, çka do të kishte shpallur automatikisht një sërë sanksionesh ekonomike nga ana e Uashingtonit.

Sipas kritikëve, Kina mban artificialisht një inflacion të lartë në vend, për të favorizuar eksportin e mallrave.

”Autoritetet kineze kanë reduktuar në mënyrë të ndjeshme ndërhyrje e tyre në tregjet ndërkombëtare që prej tremujorit të tretë të 2011-s, ndërsa janë marrë edhe disa hapa të rëndësishëm për të liberalizuar lëvizjen e kapitaleve, si pjesë e planit për të krijuar një regjim më fleksibël të shkëmbimit të monedhës”, shkruhej në raport.

Përdorimi abuziv i kursit të këmbimit për të favorizuar rritjen ekonomike nga Kina u bë një objekt i ashpër debatesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kandidati humbës në garën për president, Mitt Romney, deklaroi se nëse ai do të kishte fituar, do të shpallte Kinën si një vend manipulues që në ditën e parë në detyrë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA