“CNN”: Korea e Veriut, test i ri raketor

28/11/2012 09:20

Imazhet e fundit satelitore tregojnë se Korea e Veriut është duke përgatitur lëshimin e një rakete me rreze të gjatë lëshimi, raportoi “CNN” të mërkurën.

Nëse lajmi do të konfirmohet, testi i paautorizuar i Penianit mund të destabilizojë të gjithë rajonin.

Korea e Veriut tentoi një lëshim të passuksesshëm më parë gjatë vitit dhe një testim i dytë në disa muaj distancë do të ishte i paprecedent.

Në total, që prej vitit 1998, vendi komunist ka tentuar gjithsej vetëm katër lëshime, por gjithmonë me distancë kohore disa-vjeçare.

”Lëshimi i një rakete të re me rreze të gjatë do të ishte thellësisht i motivuar politikisht. Koreanoveriorët synojnë një impakt sa më të thellë politik brenda dhe jashtë vendit nëpërmjet një testimi të tillë”, deklaroi për “CNN” një prej ekspertëve raketorë, Joe Bermudez.

Përgatitjet e Penianit synojnë gjithashtu të japin një mesazh të fortë ndaj fuqive të tjera të rajonit, me Korenë e Jugut që do të lëshojë një raketë në hapësirë gjatë javës.

Gadishulli Korean mbetet i ndarë që prej vitit 1953, pas tre vitesh luftë të përgjakshme midis veriut komunist dhe jugut të mbështetur nga forcat demokratike.

Konflikti përfundoi atëherë me një armëpushim, por pa një traktat paqeje, prandaj Koretë janë zyrtarisht ende në luftë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA