Milo: Berisha po shtrembëron historinë

24/11/2012 00:00

Të shtunën është zhvilluar konferenca e partisë Demokracia Sociale për
Tiranën. Në fjalën e tij në hapje të kësaj konference, kreu i PSD-së,
Paskal Milo akuzoi qeverinë se është duke shtrembëruar historinë dhe
duke i thurur elozhe një mbreti të vetë shpallur që plaçkiti vendin e
vet, në këtë përvjetor të rëndësishëm të pavarësisë.

Milo shpalli hapur synimin e kësaj partie për një koalicion me PS kundër kësaj mazhorance, e cila sipas tij po përgatitet të manipulojë sërish zgjedhjet e ardhshme siç ka bërë në të shkuarën.

Ai i bëri thirrje opozitës që të jetë sa më e bashkuar, në të njëjtin front kundër këtij pushteti të korruptuar, që sipas tij e ka zhytur vendin në borxhe e mjerim.

Milo më tej i bëri thirrje kryeministrit që të zgjidhë pa humbur kohë çështjen e Fierit që është kthyer në një ngërç dhe t’i hapë rrugën në këtë mënyrë integrimit të vendit në BE, në mënyrë “që në këtë 100 vjetor t’u dhurojmë shqiptarëve marrjen e statusit kandidat në familjen europiane”.

“Shqiptarët në këtë 100 vjetor duhet të shohin vendin e tyre me një perspektivë europiane. Ky mesazh i madh i 100 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar të jetë një fener që të ndriçojë politikën shqiptare”, tha Milo.

Top Channel