Festimet për 100-vjetorin, Policia plan masash

24/11/2012 00:00

Policia e Shtetit prezantoi të shtunën planin e masave për mbarëvajtjen e festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë së vendit.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm, ku janë përcaktuar masa të detajuara dhe një sërë detyrash konkrete, të cilat po zbatohen nga strukturat qendrore e vendore të policisë.

“Përmes këtyre masave synohet garantimi i rendit dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit gjatë zhvillimit të aktiviteteve festive, garantimi i sigurisë rrugore me standarde në akset kryesore dhe në zonat urbane, ku zhvillohen aktivitetet dhe gjatë lëvizjes së personaliteteve shqiptare dhe të huaja, menaxhimi profesional dhe i shpejtë i fluksit të lëvizjes në të gjithë Pikat e Kalimit Kufitar, si dhe garantimi i një shërbimi policor me standarde të larta në përputhje me Kodin e Etikës së Policisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Në kuadër të këtyre masave Drejtuesit e Drejtorive të Policisë në Qarqe dhe të Drejtorive Rajonale për Kufirin e Migracionin po mbajnë kontakte të vazhdueshme me strukturat e tjera shtetërore dhe organet e qeverisjes vendore, me qëllim realizimin e bashkëveprimit dhe bashkërendimit të masave e veprimeve
policore për të garantuar mbarëvajtjen e aktiviteteve të shumta në të gjithë territorin e vendit dhe veçanërisht në qytetet e Tiranës e Vlorës.
 
Nga të gjitha strukturat vendore të policisë janë hartuar plane të veçanta me detyra të mirëpërcaktuara për strukturat në varësi për mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve, garantimin e sigurisë publike dhe menaxhimin e trafikut interurban dhe urban.

Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë masa të veçanta janë programuar dhe për garantimin e mbarëvajtjes së zhvillimit të provave të përgjithshme të Paradës. Ndërkohë një plan i posaçëm është hartuar për planifikimin, organizimin e vendosjen e shërbimeve të plota policore, në datën 28 Nëntor 2012, gjatë zhvillimit të Paradës Ushtarake, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” Tiranë, me pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës.

Top Channel