Meta uron 100-vjetorin nga Pogradeci

23/11/2012 19:00

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta uroi 100-vjetorin e Pavarësisë nga qyteti i Pogradecit, duke kujtuar të gjitha figurat e shquara që dhanë kontribut të paçmuar për një Shqipëri të lirë e të pavarur.

Në një takim me qindra simpatizantë të LSI-së, zoti Meta riktheu në vëmendje datën 29 nëntor, duke theksuar se pa çlirimin e Shqipërisë në 1944-ën nuk do të festonim 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë.

“Kujtojmë sot Ismail Qemalin dhe gjithë patriotët shqiptarë, të cilët shpallën pavarësinë e vendit tonë. Kujtojmë sot të gjithë rilindasit tanë, për të cilët Pogradeci, Korça, Kolonja kanë një kontribut të jashtëzakonshëm, të cilët e çuan kombin tonë, duke iu rikthyer figurës më të lavdishme, asaj të Skënderbeut, për të mbërritur në 28 nëntor 1912 në Vlorë. Pogradeci ka pasur përfaqësuesit e tij që nga Isuf Çollaku e të tjerë, ashtu sikurse jemi sot për të kujtuar faktin se pa 29 nëntorin e vitit 1944 Shqipëria nuk do ta kishte sot 28 nëntorin e vitit 1912”, deklaroi Meta.

Duke iu referuar të ardhmes së vendit, kreu i LSI-së tha se ashtu siç kanë merituar pavarësinë, shqiptarët do të meritojnë edhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Në këtë pikë zoti Meta premtoi angazhimin e LSI-së për bashkëpunimin e forcave politike në funksion të interesave qytetare e jo axhendave partiake.

“Pavarësisht nga vonesat dhe pengesat e politikës së papërgjegjshme, ne si LSI nuk kemi në dorë t’i ndryshojmë të tjerët, por ne kemi në dorë që të sillemi si forcë politike europiane, të përmbushim të gjitha detyrimet që burojnë nga aspirata juaj për t’iu përgjigjur kërkesave të Bashkimit Europian dhe të mos lodhemi asnjëherë së insistuari për bashkëpunimin e gjithë forcave politike shqiptare, për t’iu përgjigjur kërkesave dhe interesave të qytetarëve shqiptarë dhe jo axhendave të tyre të ngushta, partiake apo elektorale”, u shpreh Meta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA