Një votim në KQZ që nuk siguroi që në parim shumicën prej 5 votash çoi aktin e rishpërndarjes së mandateve të deputetëve për zgjidhje në Kolegjin Zgjedhor.
Do të jetë Partia Demokratike si subjekt i interesuar që do t’i drejtohet gjykatës zgjedhore, me kërkesën për ndarjen e mandateve prej saj, ka konfirmuar për Top Channel pas kësaj mbledhjeje Njazi Kosovrasti.
Mungesa e vendimit për ndarjen e numrit të deputetëve për çdo qark ishte pasojë e mosvotimit të anëtarëve të opozitës në KQZ.
Duke qenë se çdo qark merr një numër deputetësh në përputhje me popullsinë e saj, anëtarët e opozitës në institucionin më të lartë zgjedhor, kërkuan sqarime nga Drejtoria e përgjithshme e gjendjes civile, në varësi të Ministrisë së Brendshme, për një rritje gati dhjetë herë më të lartë të numrit të banorëve në katër komuna të qarkut të Kukësit, shtim i cili u vu re pas krahasimit me të dhënat që po kjo ministri ka dhënë gjashtë muaj më parë dhe që rrit numrin e deputetëve për këtë qark.
Por Drejtoria e gjendjes civile nuk e ka vënë në dispozicion sqarimin për rritjen e numrit të popullsisë në këtë qark, duke i konsideruar si shkelje të të dhënave personale të qytetarëve. Ky refuzim i Ministrisë së Brendshme për nënkryetarin e KQZ Denar Biba është antiligjor.
“U bënë disa emetime të rënda elektronike për manipulim të numrit të zgjedhësve, për mbajtjen stabël të disa mandateve në një qark të caktuar. Ndryshimi është prezent. I kemi kërkuar dhe do vazhdojmë t’i kërkojmë MPB të dhënat për verifikim”, deklaroi përfaqësuesi socialist Denar Biba.
“Nëse ky informacion i ardhur nga gjendja civile është i sigurt apo jo, kjo nuk do të pengojë KQZ-në që të vazhdojë punën e tij. Me këtë do të merret Kolegji Zgjedhor”, reagoi më pas kryetarja e Komisionit, Lefeteri Lleshi.
Në këto kushte, akti i rishpërndarjes së mandatit nuk u votua në këtë mbledhje të KQZ-së, në shumicën e saj të cilësuar, e përbëre nga anëtarë të rinj që nuk e fshehin këtë në tërësinë e debatit proçedurial.
Fillimin e javës që vjen, Kolegji Zgjedhor pritet të marrë në shqyrtim kerkesën e demokratëve për ndarjen e numrit të deputetëve mbi informacionin e gjendjes së popullsisë që ministria i ka vënë në dispozicion KQZ-së.
Mbi bazën e këtyre të dhënave, për shkak të rritjes së banorëve, Kukësit i takojnë katër deputetë, ndryshe nga gjashtë muaj më parë që i takonin tre, duke bërë që t’i pakësohet një deputet qarkut të Beratit, llogari këto që mesa duket janë bërë më herët nga palët për t’i paraprirë vendimmarrjes së KQZ-së.
Demokratët thonë se Kolegji ka dy mundësi, të bëjë ai ndarjen e mandateve të deputetëve ose t’ia rikthejë KQZ-së me detyrimin për të marrë vendim.
E ndërsa demokratët do të këmbëngulin në mundësinë e parë, socialistët për Top Channel deklaruan se nuk i takon Kolegjit të bëjë ndarjen e numrit të mandateve pasi ky është vendim ekskluziv i KQZ-së.
Top Channel