Shpëtim Gjika nuk do të jetë më presidenti i skuadrës së Flamurtarit. Këtë vendim ka marrë kryebashkiaku vlonjat, i cili duket tejet i inatosur dhe i zemëruar me favoret, që sipas tij po i bëhen skuadrës së Skëndërbeut.
Ka qenë humbja e fundit 3-1 në Korçë ajo që e ka detyruar presidentin Gjika të marrë vendimin e dorëheqjes. Dy nga tre golat e korçarëve ishin në pozicion jashtë loje dhe u lejuan nga gjyqtarët anësorë të kësaj ndeshjeje, vendim që ka nevrikosur tej mase presidentin e Flamurtarit, i cili për momentin ka marrë këtë vendim, duke qenë se në tre vitet e fundit i ka humbur betejat për titullin me skuadrën korçare.
Beteja për të cilat ai deklaron se korçarët kanë pasur gjithmonë ndihmën e gjyqtarëve. Duket si një vendim emocional ky i kryebashkiakut Gjika, megjithatë për momentin ky është vendimi i tij, gjë që turbullon akoma më shumë situatën tek skuadra e Flamurtarit, për të ardhmen e saj dhe vazhdimësinë në pagesat e lojtarëve.
Së shpejti do të ketë një tjetër vendim rreth të ardhmes së shpejtë të skuadrës vlonjate e cila për momentin, veç besimit për titullin, ka humbur edhe mbështetësinë kryesorë moral dhe financiar, presidentin Shpëtim Gjika.
Top Channel