Për të disatën herë gjatë këtij viti Sindikata e Policisë ngriti sërish shqetësimin e mos pagimit të dietave të gjithë efektivëve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, ndërsa për herë të parë denoncoi edhe mos pagimin e dietave prej gati gjashtë muajsh ndaj agjentëve të Interpol Tiranës.
“Efektivët e ndërhyrjes së shpejtë kanë që në dhjetoritn e 2011-ës. Shteti i detyrohet çdo polici të FNSH-së shuma të konsiderueshme parash që variojnë nga 200 mijë deri në 500 mijë lekë të reja, që i mungojnë buxhetit të këtyre familjarëve”, deklaron Sadetin Fishta, kryetar i Sindikatës së Policisë.
Zoti Fishta u shpreh se po hasin në indiferencën e autoriteteve për këtë çështje dhe se shpresa e vetme është gjykata. “U jemi drejtuar dy gjykatave, asaj Kushtetuese dhe asaj të Tiranës, njëra për trajtimin ushqimor të policëve dhe tjetra për të njohur borxhin e akumuluar nga shteti ndaj efektivëve të policisë”, thotë më tej Fishta.
Kryesindikalisti i policisë e konsideroi diskrimim të uniformës së policisë nga ana e Ministrisë së Brendshme publikimin e fotove dhe pamjeve të oficerit të policisë të arrestuar në Rinas, pasi ky veprim bie ndesh me Kushtetutën, si dhe i kërkoi Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të bëjë kujdes në ruajtjen e të dhënave personale dhe të uniformës zyrtare të policisë.
Top Channel