Pas shkarkimit të Roberto di Matteo të mërkurën, për shkak të humbjes 3-0 ndaj Juventus në Champions League, Chelsea ka emëruar ish-trajnerin e Liverpool, Rafael Benitez, si trajner të përkohshëm, deri në fund të këtij sezoni.
Emërimi për një periudhë afatshkurtër i Benitez, i hap rrugën pronarit Roman Abramovich të bëjë një përpjekje gjatë verës për ish-teknikun e Barcelonës, Pep Guardiola.
Benitez, 52 vjeç, bëhet kështu trajneri i 9-të i “Blues”, që kur Abramovich mori drejtimin e klubit në 2003.
Në një deklaratë nga klubi thuhej: “Pronari dhe bordi besojnë se me Benitez kemi një trajner me eksperiencë të mjaftueshme në nivelet më të larta të futbollit, i cili mund të vijë dhe, në mënyrë të menjëhershme, të na ndihmojë të arrijmë objektivat tanë. Dy herë fituesi i ‘Trajneri më i Mirë i UEFA-s’, vjen me një të kaluar të shkëlqyer”.
Benitez u bashkua me Liverpool nga Valencia në 2004 dhe fitoi Champions-in në 2005, ashtu sikurse dhe luajti në finalen e 2007-s, përpara se të largohej nga “Anfield Road” me marrëveshje dypalëshe në 2010-n.
Ai ka qenë i papunë, që kur u shkarkua nga Inter në dhjetor 2010, pas vetëm 6 muajsh në krye të zikaltërve, pavarësisht se fitoi 2 tituj: Botërorin për Klube dhe Superkupën e Italisë.
Spanjolli do të takohet me lojtarët në fushën stërvitore në Cobham, të enjten, përpara ndeshjes së tij të parë me blutë, që do të luhet me Manchester City, të dielën.
Top Channel