Ardhja e “Mesharit” në famullinë e vet

22/11/2012 00:00

Ndue Dedaj – Me siguri nuk ka shqiptar, në dhjetë milionë
bashkëvëllezër, që nuk ka parë ëndrra me “Mesharin” në duar, që nuk e ka
përfytyruar autorin e tij përmes një shëmbëllese mitike, në mungesë të
fotografisë dhe të ca rreshtave biografie, pos pak fjalëve në pasthënien
e librit, që ai, Don Gjoni, i biri i Bdek Buzukut, kishte pas nisur ta
shkruante veprën e tij meshtarake më 20 mars 1554 dhe e kishte
përfunduar më 5 janar të vitit 1555.

Libri i tij do të kishte një fat më se të çuditshëm, do të mbërrinte deri në cakun e fundit të ekzistencës, po të mos kishte qenë një dorë e mbarë, që një kopje të tij ta çonte në Bibliotekën e Vatikanit. Ky do të ishte një fat i pazakontë për autorin, por dhe për krejt letërsinë e kombit të tij, e cila do ta kishte atë libër në rrënjët e veta, si gurin themeltar. Por libri emblematik, aq sa do të dëshmonte praninë e shkrimtarit të parë shqiptar dhe të shqipes së shkruar, në atë fazë parake të shkrimit të saj, aq enigma do të linte pas, për shkak të mungesës së fletëve të para, ku duhej të kishte sadopak të dhëna biografike për autorin, si datëlindja, vendlindja, famullia ku kishte shërbyer, vendi i shtypjes së librit, në Venedik a Kroaci, etj. Janë ata, pra, treguesit e frontespicit, që kur del libri kalohen me një shikim, po që më pas qëllon që fitojnë vlera të pashoqe. Sa studiues kanë thënë: “Ah, sikur të ishin ato fletët e para të ‘Mesharit’, puna do të ishte ndryshe. Njohja do të ishte më e plotë. Në ato 32 faqet e munguara doemos që do të kishte diçka më shumë, përfshi dhe titullin origjinal të librit. Por si duket fati i shkrimtarit të parë shqiptar, për sa i përket “humbjes” së vendlindjes në shtjellat e trazuara të kohës, ndiqte fatin e Heroit Kombëtar.

Autori as që e kishte shkuar ndërmend, kur e kishte botuar librin, se cili do të kishte qenë statusi i tij më pas. Nuk e kishte menduar rrugëtimin e librit të tij të “cunguar” nga njëri shekull në tjetrin, zbulohu e humb dhe për më tepër, se do të vinte një përvjetor madhor, që do të ishte i njëqindti i Pavarësisë së vendit të tij, kur ai, libri monumental buzukjan, do të shtegtonte nën masa të rrepta sigurie drejt tokës amë, me protokollin strikt të dy shteteve, për më tepër përkundrejt një shume parash jo të pakta si garanci për ruajtjen e tij, që ai si prift malesh shqiptare nuk i kishte pasur kurrë nëpër duar, mbase dhe e gjithë dioqeza e tij asokohe. Kështu, libri i tij kishte ardhur duke u mitizuar, çka e kishte bërë atë të paprekshëm. Kishin qenë vetëm tre shqiptarë që e kishin prekur me dorë “Mesharin” atje në Vatikan. Zbuluesit dhe kopjuesit e tij fatlumë. Pas vitit 1555, kushedi se në ç’rrethana, libri ishte humbur, duke u shndërruar për afro dy shekuj në një vepër të panjohur, strukur si një i paemër dikund në skedarët e Romës mesjetare. Vetëm një Zot e di se si mund të ishin përpirë nga dheu a flaka, nga urditë pushtuese të orientit të gjitha kopjet të tij, për të mbetur vetëm një, ajo që më 1740 e zbuloi në Bibliotekën e Propagandës Fide ipeshkvi i Shkupit, Imzot Gjon Nikollë Kazazi, nga Gjakova. Zbulimi doemos që bëri jehonë të madhe, sepse ishte libri i parë në gjuhën shqipe, ndaj ai shpejtoi t’ia jepte lajmin e gëzueshëm arbëreshit Gjergj Guzeta, themelues i seminarit të shqipes në Palermo, të cilit i dërgoi një fotokopje. “Meshari”, siç dihet, ishte i shtypur me alfabetin latin, duke u shtuar disa shenja cirilike për tingujt në shqip. Veçse libri i parë shqip, aq fort i mirëseardhur, do të mbetej prapë në harresë, përhumbje dhe për një shekull tjetër, krejt si një humbës i madh, deri në vitin 1909, kur e rizbulon arbëreshi Pal Skiroi, gjithnjë në Bibliotekën e Vatikanit, ku gjendet edhe sot. Duket se humbjeve të tij po u vinte fundi. Ama kishte ndodhur Rilindja Kombëtare, ishte krijuar shteti shqiptar e prapë dy dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX nuk e kishin sjellë “Mesharin” këndej detit, nga ai pati pas shtegtuar shekuj më parë, ashtu si Zoja e Shkodrës etj. Nuk mund të ishte i qetë veçmas gjuhëtari i spikatur dhe prelati i ndritur At Justin Rrota, një nga ata shqiptarë diturakë që shihte ëndrra me “Mesharin” në sy, prandaj me 1929 ai niset drejt Romës, e rigjen librin e bekuar, e fotografon në tri kopje, njëra nga të cilat gjendet në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Qoftë dhe vetëm për këtë akt kulturor At Justini e meriton në këtë Jubile titullin “Nderi i Kombit”, duke bërë i vetëm në atë kohë sa një shtet i tërë. Dihet pastaj puna e pamat e gjuhëtarit të shquar Eqerem Çabej, që më 1968 botoi studimin shkencor të veprës së Buzukut. Është me të vërtetë diçka e magjishme, që “Meshari”, pagëzohet nga shqiptarë të gjithandejshëm, nga Gjakova, Shkodra, Gjirokastra, si dhe nga arbëreshët e Italisë. Mbase nuk mund të ndodhte ndryshe me një libër si ai, që do të mbetej abetarja kulturore e kombit; për vlerat gjuhësore, letrare, religjioze.

E megjithëse “Meshari” ka shkruar historinë e letërsisë e të gjuhës shqipe, ne do të ishim gati ta “sakrifikonim” sërish, nëse do të ndodhte mrekullia që një tjetër Gjon Nikollë Kazazi të zbulonte një tjetër meshar, më të vjetër se ky, dy a tre shekuj para tij. Por dhe nëse nuk do të ketë një meshar më të hershëm, një gjë është e sigurt, që dioqezat e moçme shqiptare, në rrënoja dhe arkiva, nuk janë shteruar plotësisht nga kërkimi shkencor. Nuk ka qenë vetëm një famulli, ajo e Gjon Buzukut, ku u përkthye e shkrua një libër në shqip. Kanë qenë dhe ato të Bardhit, Budit dhe Bogdanit. Të Lekë Matrangës, Jul Varibobës etj. Kanë qenë dioqezat e Veriut që hapën shkollat e para shqipe, në Pllanë, Blinisht, Velë dhe Kurbin më 1632 e mbrapa. Ka qenë dhe Merqia e Lezhës, me të cilën lidhet një nga ngjarjet më kulmore historike të kulturës shqiptare, “Kuvendi i Arbnit” më 1703. Në kohën e Rilindjes do të hapeshin shkolla: në Orosh nga Prend Doçi, në Zllokuqan nga Shtjefën Gjeçovi, në Stubëll të Karadakut nga Dom Mikel Tarabulluzi etj. Me famullinë e Kuklit do të lidhej “Andrra e Jetës” e Ndre Mjedës. Me Ndërfanën “Fjalor i ri i shqipes” (1908) i Dom Dodë Kolecit dhe shoqërisë “Bashkimi”. Nëpër famulli të Shkodrës, si ajo e Shkrelit e të tjerë, u shkruan romanet e para shqiptare dhe historia e parë e Shqipërisë prej Dom Ndoc Nikajt, veprat gjuhësore të Dom Nikollë Gazullit etj. Tradita e shkrimit famullitar, siç do të na pëlqente ta quanim, si për çudi vazhdoi deri vonë, dhe kur ishin krijuar institute shkencore dhe akademitë e shkencave në Tiranë e Prishtinë. Në vitet ‘70 të shekullit XX në famullinë e vogël të Shën Gjergjit, në anën e tejme të Bunës, i mirënjohuri Dom Simon Filipaj, do të përkthente Biblën në gjuhën shqipe. Ashtu si në Tuz, At Vincens Malaj, do të merrej me botimin shkencor të “Kuvendit të Arbnit”, ku do të ngrinte dhe një bibliotekë albanologjike. Por dhe sa e sa vepra të tjera kulturologjike, të një rëndësie kombëtare, dalë prej famullive të maleve tona, i bëjnë ndër këtij njëqindvjetori të madhnueshëm. Janë kuvende, abaci, dioqeza, famulli të shumta: Durrës, Delbinisht, Sapë, Lis, Troshan, Kallmet, Pult, Rubik, Orosh, Tiranë, Vlorë, Elbasan, Mertur, Milot, Zym, Kryezi, Lurë e të tjerë, që kanë lënë gjurmë në etnokulturën shqiptare. Se ç’ka qenë një famulli në botën e shkencës dhe të dijes, mjafton të sillet në vëmendje një skicë e veçantë e Faik Konicës, kur ai e viziton Gjeçovin në kishën e tij në Gomsiqe. Ishte gjithsesi ajo, e para, famullia e Buzukut, që i lindi këto të tjerat. Ajo famulli që studiuesit na thonë se ishte diku në Krajë, buzë liqenit të Shkodrës, apo në Mjedë, ku motit gjendej një nga qytetërimet e vjetra më në zë.

Ka qenë në natyrën e urdhrave kishtarë dhe sqimën e vetëdijen e këtyre prelatëve, të ishin tej mase modestë. Nuk thanë kurrë një fjalë për veten. Pa thënë se shpesh veprat e tyre botoheshin pa autorësi. Por nëse ata ashtu e kishin mënyrën e shpërfaqjes, nën një autorësi institucionale, më shumë se sa vetjake, neve na bie barra t’i çmojmë e nderojmë emër për emër. Në këtë 100-vjetor vërtet erdhi “Meshari”, por nuk erdhën meritueshëm pasardhësit e Buzukut. Nuk dimë të jetë vënë dhe një pllakë përkujtimore në ndonjë famulli historike shqiptare, që të tregojë se aty shërbeu aksh shkrimtar i mirënjohur françeskan, apo jezuit, u hap shkolla e parë shqipe e krahinës, u shkrua një vepër e shquar, ta zëmë, “Lahuta e Malcis” etj. Me të vërtetë që deri më 28 Nëntor nuk mund të bëhen të gjitha ato që pritej të bëheshin, por deri në Krishtlindje ka ende dhe një muaj kohë, dhe viti kremtues natyrisht vazhdon deri më 31 dhjetor, ndaj dhe përnderimi për prelatët e kombit mund të vazhdojë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA