Rama: Shkolla, jo mjedis politik

21/11/2012 19:20

Partia Socialiste është angazhuar në një fushatë gjithpërfshirëse me të rinjtë në të gjithë Shqipërinë. Në një takim me votuesit për herë të parë, kryetari i PS, Edi Rama u shpreh prerazi se, asnjë drejtor shkolle s’do lejohet ta bëjë shkollën mjedis politik të qeverisë dhe asnjë opozitë s’do pengohet të takojë mësuesit publikisht.

Sipas kryesocialistit Rama, arsyeja pse sot ka kaq shumë padrejtësi në shkolla lidhet me faktin që të rinjtë nuk e dinë se çfarë force kanë.

“Fajin e ka politika, prandaj mësuesja na thotë ‘po ishit me FRESSH-in do t’ju përjashtojmë, nëse vini me PD do ju japim 50 mijë lekë’. Fajin e ka politika, prandaj drejtori i shkollës hap derën e shkollës për të futur kryeministrin që të mbajë fjalim para fëmijëve 6 vjeç dhe t’u kërkojë mbështetje për të shpëtuar Shqipërinë nga opozita dhe po për faj të politikës nuk ka shkollë që të hapet dera”, deklaroi Rama, i cili megjithatë saktësoi se përgjegjësi kanë edhe faktorë të tjerë.

“Sigurisht, fajin e ka politika, por ama politika nuk është një forcë as qendrore e as e një supermacie të tillë që mund të bëjë kaq shumë faje në kurriz të njerëzve në qoftë se njerëzit nuk i dëshirojnë këto, në qoftë se njerëzit nuk i pranojnë këto. Aty ku fajin e ka politika duhet të biem në një mendje që fajin e kanë edhe njerëzit”, theksoi Rama.

Për të hequr ndikimin politik nga shkolla njëherë e mirë, Rama sugjeroi përfshirjen e prindërve dhe nevojën e ndërtimit të bordeve të prindërve dhe të mësuesve, të përbashkëta me shkollën, siç janë modele në vende të përparuara të Bashkimit Europian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA