Koleksionisti i monedhave shqiptare

21/11/2012 17:25

Numizmatika është një fenomen i vjetër në shoqërinë shqiptare. Franceskanët e Shkodrës e nisën në fillim dhe një emër i shquar është Shtjefën Gjecovi.

Por, sot në vendin tonë të apasionuarit pas monedhave dhe kartmonedhave kanë krijuar edhe një shoqatë, e vendosur të mërkurën në qendër të vëmendjes së emisionit të “Pasdites”, në Top-Channel. Ndër ta, koleksionisti më i njohur është Girando Koti nga Gjirokastra.

Diku në pazarin e vjetër të qytetit të grurtë, Girando ka edhe një dyqan ku ekspozon koleksionet e tij të shumta. Dashuria per monedhën kombetare e ka çuar në shumë vende të botës për të gjetur gjurmë Shqipërie.  

Në koleksionin e parasë shqiptare gjenden relike të kartmodhës që prej vitit 1913, kur ende nuk ishte krijuar Banka e Shqipërisë. Kjo epokë përfaqësohet në koleksion me serinë e plotë të emetuara në atë kohë prej Pleqnisë së Shqipërisë së Mesme.

Periudha e Luftës së Parë Botërore zë vend në koleksionin e z.Koti me frangën në Korçë dhe qindarkën në Shkodër. Kartmonedhat lokale të emetuara në këto qytete tregojnë rëndësinë e këtyre dy qendrave në jetën ekonomike të vendit në atë periudhë.

Në kartmonedhat lokale pasqyrohen për herë të parë simbole të rëndësishme kombëtare, si shqiponja. Me krijimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë në vitin 1926 u emetuan një seri e gjatë kartmonedhash dhe filloi për herë të parë emetimi i monedhave që kërkonin më shumë investime dhe perfeksion në prerje.

Që prej themelimit të bankës Kombëtare e deri në largimin e mbretit Zog nga Shqipëria u emetua seria e kartmonedhave franga ari dhe monedhave të argjendit dhe arit.  

Mes tyre ka disa prerje përkujtimore ku në koleksionin e z. Koti, gjendet ajo për 25-vjetorin e pavarësisë dhe prerja përkujtimore në nderim të martesës së mbretit. Periudha e ndryshimit të emrit nga Banka Kombëtare në Bankën e Shqipërisë pasqyrohet në koleksion pothuajse me të gjithë seritë e kartmonedhave dhe monedhave.

Në këtë periudhë monedha zyrtare në Shqipëri u emërtua lek dhe nënkategoritë qindarka, emërtimet që ruhen edhe sot. Nuk mungon në këtë koleksion as seria e kartmonedhave dhe monedhave të emetuara gjatë regjimit komunist.

Në koleksionin e tij Girando ka rradhitur të vetmen kartmonedhë jo shqiptare të emetuar nga shteti malazez në luftën e parë botërore, ku përshkrimi është në gjuhën shqipe dhe malazeze.

Ky koleksion një ndër më të rëndësishmit që dokumneton historikun e parasë shqiptare ndër vite, por edhe të jetës ekonomike ende nuk është i plotë. Për të dokumentuar përmes monedhave 100 vjet histori është një mision shumë i vështirë të cilin Gerando premton se do ta përfundojë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA