Juve fiton supersfidën me Chelsea

21/11/2012 00:00

Është Juventus fituesi i supersfidës së grupit E, ku ata mundën kampionët në fuqi të Chelsea-t me rezultatin 3-0. Quagliarella zhbllokon sfidën që në pjesën e parë, për t’i lënë më pas radhën Vidal dhe Giovinco-s në fundin e takimit, që kompletojnë shifrat në 3-0.

Me këtë fitore, kampionët e Italisë duket t’i kenë dhënë një përgjigje të gjithë skeptikëve, për paraqitjet e tyre në Champions League, e mbi të gjitha kanë marrë vetë në dorë fatin e kualifikimit për në fazën tjetër, pasi janë ngjitur në kuotën e 9 pikëve, dy më shumë se Chelsea, i cili zbret i treti.

Ukrainasit e Shakhtar, të kualifikuar tashmë, shkatërruan 2-5 Nordsjaelland. Një barazim në ndeshjen e fundit me Juventus do t’u siguronte vendin e parë në grup, megjithatë, gjithçka mbetet për t’u vendosur, pasi edhe shpresat për skuadrën e Di Matteo-s do të jenë deri në 90-minutëshin e fundit, në pamje të parë të lehtë, me Nordsjaelland.

Barazimi 1-1 mes Valencia-s dhe Bayern Munchen i kualifikon të dyja këto skuadra të grupit F për në fazën tjetër, pasi u ngjitën në kuotën e 10 pikëve, ndërkohë që fitorja e Lille me BATE Borisov mbetet vetëm për statistikë.

Ndërkohë, Barcelona e kualifikuar shndërrohet në shërbim të gjeniut Lionel Messi, i cili është autor i dy prej 3 golave, që katalanasit i shënuan Spartak Moscoë. Me këtë dygolësh, argjentinasi e sheh veten vetëm 5 gola larg rekordit të vitit 1972, të vendosur nga Gerd Muller.

Ndërkohë në grupin H, Manchester United i kualifikuar, i ka “dhuruar”, në një farë mënyre, fitoren Galatasaray-t. Skuadra turke do të shpresojë deri në ndeshjen e fundit, bashkë me CFR Cluj dhe Braga, për skuadrën tjetër që do të kualifikohet nga ky grup.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA