Didier Drogba përgatit rikthimin në Europë. Me kampionatin kinez të përfunduar, afrikani nuk ka ndërmend të qëndrojë në inaktivitet dhe i ka kërkuar FIFA-s që ta lejojë huazimin e tij jashtë dritares së merkatos.
Nëse kjo do të ndodhë, tranferimi i 34-vjeçarit do të jetë disa-mujor, i ngjashëm me aktivizimin e Beckham tek Milani në vitet e shkuara.
Për momentin, FIFA nuk ka dhënë ende një vendim dhe është mjaftuar të thotë se do të shqyrtojë rastin, por ndërkohë, disa klube europiane kanë nisur interesimin për bregofildishtasin, që pas tetë vitesh tek Chelsea, u largua për në Kinë si fitues i Champions League.
Juventusi, prej kohësh në kërkim të një qendërsulmuesi me peshë, është skuadra kryesore që po ndjek me interesimin atë që do të ndodhë me Drogbanë, i cili mund t’i japë një shtysë të rëndësishme kampionëve të Italisë në kampionat dhe Europë.
Megjithatë, nostalgjia mund të bëjë punën e saj dhe të kthejë sulmuesin në radhët e Marsejës, ekipin që e krijoi dhe e lëshoi në futbollin e rëndësishëm. Burime brenda “Velodrome”, gjithsesi konfirmuan ekzistencën e interesit për të përfunduar një marrëveshje të tillë.
Top Channel