100-vjetori, festë në selinë e NATO-s

21/11/2012 21:10

Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, festimet u ndjenë dhe në selinë e NATO-s në Bruksel.

Në ceremoninë e organizuar, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen theksoi se ishte kënaqësi për të që të uronte shqiptarët për këtë datë të rëndësishme.

“Tre vjet e gjysmë përpara, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO i tregoi botës se ideja e lirisë është e pathyeshme. Me anëtarësimin në NATO, Shqipëria ka forcuar sigurinë e saj të brendshme dhe atë të NATO-s dhe të tërësisë së Aleancës Atlantike”, tha Rasmusen.

Ndër të tjera, shefi i Aleancës vlerësoi angazhimin e vendit tonë në Afganistan, për mbrojtjen e sigurisë dhe vlerave të përbashkëta.

Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami tha se 100 vjet më parë themeluesit e shtetit shqiptar deklaruan pavarësinë dhe hodhën bazat e para të shtetit modern.

“100 vjet pas shpalljes së Pavarësisë, Shqipëria është anëtare e Aleancës më të madhe politiko-ushtarake të kohëve moderne. Sot Shqipëria është një faktor stabiliteti në Ballkan duke luajtur një rol konstruktiv në të gjitha politikat rajonale dhe duke dhënë kontributin e saj për paqen dhe sigurinë globale”, theksoi Imami.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA