Roberto Mancini, trajneri i Manchester City, ironizoi mbi mënyrën se si skuadra e tij do të ndalojë Cristiano Ronaldon në ndeshjen ndaj Real Madrid.
“Do të njoftojmë policinë”, u shpreh tekniku italian në konferencën për shtyp. Më pas, duke folur seriozisht, tha: “Shpresoj që të ketë një ditë të keqe sepse është shumë e vështirë të përballesh me një lojtar që shënon një ose dy gola çdo herë që luan. Do të jetë një ndeshje e rëndësishme për Realin.”
Mancini theksoi se është pikërisht sulmuesi portugez ai që meriton Topin e Artë FIFA: “E meriton plotësisht. Shënoi shumë gola sezonin e kaluar dhe këto gola ndihmuan Realin të fitonte kampionatin spanjoll. Ai dhe Messi janë futbollistët më të mirë në botë, por titulli që Cristiano fitoi duhet ta ndihmojë për të fituar edhe Topin e Artë.”
I një tjetër mendimi është Carlos Tevez, sulmuesi argjentinas i Manchester City: “Është normale që Cristiano mendon se është më i miri në botë. Kushdo që do të shënonte 40 gola në sezon do e mendonte diçka të tillë për veten, por nëse më pyesni mua, unë them se Messi është më i miri.”
Borussia Dortmund (8 pilë) kryeson grupin D të Ligës së Kampioneve ku bëjnë pjesë Real Madrid (7 pikë), Ajax (4 pikë) dhe Manchester City (2 pikë).
Ndeshja Manchester City-Real Madrid do të luhet të mërkurën në orën 20:45.
Top Channel