Roberto di Matteo e di mirë, që e ardhmja e tij te Chelsea varet prej rezultatit të sfidës me Juventus, një ndeshje delikate nga të gjitha këndvështrimet, e vlefshme për Champions League.
“Kam besim, kam një skuadër të mirë dhe e dimë se duhet të luajmë një ndeshje të madhe. Do të jetë një përballje e vështirë, por edhe Juve do të jetë nën një presion të madh. Duam t’u krijojmë probleme atyre, kështu që do të sulmojmë e mbrohemi me të njëjtin kapacitet”, tha tekniku i “Blues”.
“Ndjejmë keqardhje për humbjen e së shtunës, ndaj dhe mezi presim të reagojmë. Mund të mbështetemi te këta lojtarë, e kanë treguar edhe në të kaluarën”, ka shtuar ai.
Shumë pak të dhëna në lidhje me formacionin, teksa italiani do të duhet të bëjë pa Terry e Lampard, të dy të dëmtuar, ndërkohë që Torres nuk është në maksimumin e tij: “Do të zgjedh skuadrën pas stërvitjes së fundit. Ashley Cole është i disponueshëm”.
Di Matteo i trembet Juve-s: “Kam parë shumë ndeshje të tyre, edhe kundër Lazio-s kanë luajtur shumë mirë, duke e mbyllur kundërshtarin në gjysmëfushën e tyre. Duhet të kemi kujdes në mbrojtje, por jo vetëm. Ndeshja është e hapur për çdo lloj rezultati, ata luajnë në shtëpi dhe kanë një avantazh, por jo aq të madh”.
Capello: Juve? Në Serie A bën ç’të dojë!
Fabio Capello e sheh Juventus-in pa rivalë në luftën për titull. “Në fillim ishin Lazio e Cragnotti-t dhe Parma e Tanzi-t, përveç Milan dhe Inter. Sot në Itali, Juve mund të bëjë ç’të dojë. Mbrojtja me 3? Është gjëja më e gabuar e futbollit të sotëm, jemi rikthyer 20 vite mbrapa. Në realitet, mbrojtja duhet të jetë me 5”.
Përpara sfidës Juve-Chelsea, deçizive për të ardhmen në Champions të bardhezinjve, Capello paralajmëron skuadrën e Conte-s: “Duhet të luajë me inteligjencë, sepse 3 fantazistët e Chelsea-t janë të rrezikshëm. Besoj se do të jetë një sfidë, që do të zgjidhet taktikisht. Torres? Nëse do të jetë në formë, do të përbëjë rrezik. Por, pas Liverpool, duket i humbur dhe nuk e ka më shpejtësinë e dikurshme”.
Top Channel