
Qeveria ka zyrtarizuar rritjen e borxhit publik përtej kufirit ligjor për vitin 2013, kur do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.
Gjatë miratimit të buxhetit për vitin e ardhshëm, kryeministri tha se tavani i borxhit nuk do të jetë më shifra 60%.
“Buxheti parashikon një variacion plus-minus 2 për qind, në raport me shifrën 60 të borxhit. Mund të jete rreth 60 apo 62.6, por nuk kap 63-shin, në asnjë mënyrë. Ky është një zotim i prerë i Ministrisë së Financave dhe qeverisë para institucioneve ndërkombëtare. Jemi të lehtësuar para partnerëve tanë, sepse mbajtëm fjalën. Buxheti parashikon një defiçit buxhetor ndër më të ulëtit në Evropë, 3.4 për qind”, deklaroi Berisha.
Shpenzimet e buxhetit për vitin e ardhshëm do të jenë 409 miliardë lekë, rreth 27 për qind e prodhimit kombëtar.
“Ky buxhet është një kontribues i madh në rritjen ekonomike të vendit dhe punësimin e shqiptarëve. Me 409 miliardë lekë shpenzime, kjo përbën një nxitje të fuqishme të punësimit, krijimit të mijëra vendeve te reja të punës nga sektori publik dhe investimet publike. Kjo përbën një rritje të madhe të shpenzimeve, rritje të fuqisë blerëse, e cila në dallim nga ajo që shpalli kollagerët e krizës ka këtë vit rritjen prej 25%”, nënvizoi Berisha.
Duke ritheksuar se buxheti do të ruajë prioritetin e investimeve në infrastrukturë, kryeministri tha se qeveria do të vazhdojë rritjen e pagave reale për buxhetorët, por pa përfshirë zyrtarët e lartë.
“Rrogat e mësuesve do të rriten 2 herë më shumë se sa është inflacioni. Pensionet do të rriten dy herë më shumë se inflacioni. Pra, jo vetëm indeksohen, por rriten edhe njëherë më shumë se sa indeksi i çmimeve. Nuk mund të pranohet që të rrijë as në vend numëro e as të bëhen hapa pas në nivelin e jetesës. Ky buxhet garanton 820 mijë familje shqiptare, të cilët marrin rroga apo pensione mujore nga shteti, se ato të ardhura mujore do të spostohen në një nivel të ri”, tha Berisha.
Ndryshe nga vitet e tjera, këtë herë qeveria e miratoi buxhetin gati një muaj me vonesë nga afati ligjor, një pritje që u komentua si e lidhur me fatet e privatizimit ende të pambyllur të “Albpetrol”.
Por sërish në buxhet qeveria nuk ka parashikuar asnjë fond nga shitja e kompanisë së naftës, teksa negociatat e shtyra vazhdojnë ende pa ndonjë përfundim konkret.
Top Channel