Roberto Di Matteo, trajneri i Chelsea, ka deklaruar se Fernando Torres mund ta nisë nga stoli ndeshjen ndaj Juventusit, një takim shumë i rëndësishëm për të dyja skuadrat për vazhdimësinë në Ligën e Kampioneve.
Tekniku italian mund të aktivizojë sulmuesin anglez Daniel Sturridge në vend të spanjollit: “Duhet të shohim gjendjen e ekipit për të vendosur për formacionin. Nëse mendoj se gjëja më e mirë për ekipin do të jetë lënia në stol e Torresit, atëherë do e lë në stol.”
Në deklarata për ‘Daily Mirror’, Di Matteo sqaroi më tej: “Sturridge ka luajtur mirë dhe është gjithmonë një kërcënim i madh për mbrojtjet kundërshtare dhe ndaj Juventusit na duhen gola.”
Chelsea renditet në vendin e dytë të grupit E me 7 pikë, po aq sa Shakhtar, por me golavarazh më të keq. Juventus është në vend të tretë me 6 pikë dhe humbja ndaj anglezëve praktikisht do i eleminonte nga Liga e Kampioneve duke marrë parasysh se Shakhtar ka një ndeshje të lehtë në letër ndaj Nordsjaelland.
Juventus-Chelsea do të luhet të martën në orën 20:45.
Top Channel