Skënderbeu vazhdon marshimin drejt mbrojtjes së titullit kampion. Këtë herë, korçarët mundën Kastriotin, brenda në Krujë.
Djemtë e trajnerit Josa kanë arritur të fitojnë me rezultatin 2-1, me gola të Tomiç, në minutën e 6-të, dhe Plakut, në të 71-tën, ndërsa për vendasit ka ngushtuar disavantazhin Sykaj, në të 76-tën.
Ka qenë një lojë interesante, ajo mes Kastriotit dhe Skënderbeut, e luftuar nga të dy ekipet, ku duhet përmendur se krutanët kanë pasur disa mundësi të mira për të barazuar rezultatin, por ka qenë portieri Shehi, ai që nuk ka lejuar prekjen e portës së tij për herë të dytë.
Nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1 ndeshja mes Shkumbinit dhe Laçit. Trajneri i ri i peqinasve, Kristaq Mile, ka marrë pikën e parë nën drejtimin e Shkumbinit, i cili e pa veten në disavantazh që në minutën e dytë. Në minutën e 82-të, kanë arritur vendasit të gjejnë golin e barazimit me Mustafajin.
0-0 është mbyllur Besa me Vllazninë, ndeshje kjo e luajtur në “Niko Dovana” për shkak të dënimit të skuadrës kavajase, me zhvillimin e ndeshjeve jashtë qytetit të saj.
Ka fituar edhe Tirana në këtë javë të Superiores. Bardheblutë morën tri pikë përballë Apolonisë, të cilën e mundën 2-0 në “Qemal Stafa”.
Top Channel