“Heshtni të gjithë, do të flas unë këtë radhë”. Presidenti Massimo Moratti ngre zërin pas ndeshjes me Cagliari-n, ku Inter u penalizua me një penallti të paakorduar në minutën e 91-të.
Një shpërthim kundër klasës arbitrale: “Janë 3 takime radhazi, që gjendemi përpara padrejtësive dhe sjelljeve arbitrale, të cilat na ndalojnë të marrim rezultate pozitive”. Numri një zikaltër shton më tej: “E paracaktuar? Shpresoj që jo. Do të ishte akoma më çmenduri se sa paaftësia”.
Cagliari ndal Interin, 2-2. Stramaccioni ndëshkohet me të kuq për protestë
Interi nuk përfiton nga hapi fals i Juventus. Një Cagliari në formë të shkëlqyer detyron zikaltrit të ndalen në barazim 2-2, të cilët mbeten kështu 4 pikë larg kryesuesve.
Interi kalon në avantazh në minutën e 10-të me Palacio, pas asistit të Cassano-s, por kuqeblutë luajnë shumë mirë. Handanovic bëhet pengesë ndaj Astori dhe Nene, por në minutën e 43-të vjen barazimi nga Sau, i njëjti lojtar që kalon Cagliari-n në avantazh në të 67-n.
Milito rivendos gjithçka në barazpeshë në të 80-n, i ndihmuar edhe nga devijimi i Astori-t.
Protesta nga ana e Interit për rrëzimin e Ranocchia-s, por ndëshkohet me karton të kuq tekniku Stramaccioni.
Gjatë minutave shtesë ndodh një episod, i cili do të diskutohet gjatë dhe që do të ndezë polemikë pas polemike. Ranocchia pengohet nga Astori në zonë: është penallti neto, por gjyqtari Giacomelli, në mënyrë të pabesueshme, lejon lojën të vazhdojë.
Stramaccioni shpërthen nga pankina dhe ndëshkohet, ndërsa nga tribuna, presidenti Moratti duket tepër i furishëm. “San Siro” rrezikon të shpërthejë.
Por, pas ndeshjes, në shtëpinë zikaltër mbizotëron heshtja, pavarësisht se mërzia është në nivele tepër të larta.
Ndeshjet e tjera të Serie A
Fiorentina vazhdon ecurinë pozitive dhe, pasi mposhti Milan-in në “San Siro” javën e kaluar, siguron një tjetër fitore, këtë herë ndaj Atalantës 4-1. Tashmë, janë plot 6 javë, që ekipi “viola” njeh vetëm fitore.
Kanë fituar ndeshjet “shtëpiake” edhe Catania e Siena, respektivisht ndaj Chievo dhe Pescara. Në barazim 2-2 është ndalur edhe Udinese nga Parma.
Të shtunën, Juve-Lazio dhe Napoli-Milan përfunduan 0-0 dhe 2-2, ndërsa pritet të luhet derbi i Xhenovës, Sampdoria-Genoa më 20:45.
Top Channel