Tevezit i sekuestrojnë makinën

17/11/2012 16:30

Sulmuesi i Manchester City, Carlos Tevez, u detyrua të zbriste “Porsche” i tij dhe të ecte në këmbë, pasi makina iu sekuestrua për shkak të një problemi me dokumentacionin.

28-vjeçari argjentinas u ndalua nga policia rrugore e Mançesterit gjatë së premtes, ku u verifikua se ai nuk kishte patentë të vlefshme për të drejtuar një automjet në Britaninë e Madhe.

Sulmuesi drejtonte ende me një patentë ndërkombëtare, kur atij i ishte kërkuar që të bënte konvertimin 12 muaj më parë, duke qenë se është një banor rezident në Mbretërinë e Bashkuar.

Si rrjedhojë e këtij problemi, policia urdhëroi bllokimin e mjetit, i cili u rimorkiua dhe transportua pa futbollistin në një qendër të policisë.

Pasi mbeti në këmbë, sipas “Daily Mail”, Tevez kreu një telefonatë dhe një tjetër “Porsche” i bardhë, i drejtuar nga një person i paidentifikuar, e shoqëroi atë në shtëpi.

Në bazë të kontratës së tij me Manchester City, Tevez fiton 200 mijë stërlina në javë, ndërsa një “Porsche” i ri, i njëjtë me modelin e zgjedhur nga argjentinasi, kushton rreth 120 mijë stërlina.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA