Për më shumë se dy orë në Pallatin e Brigadave janë zhvilluar homazhe përpara arkivolit të ish-Mbretit Zogu i Parë.
Personalite
të larta shtetërore, simpatizantë të monarkisë dhe shqiptarë të ardhur
nga diaspora janë përkulur përpara arkëmortit me eshtrat e Ahmet Zogut,
ardhur nga Franca një ditë më parë.
Ceremonia ka vijuar me vendosjen e eshtrave të ish-Mbretit Zog në mauzoleumin e Familjes Mbretërore.Krahas personaliteteve më të larta nga Shqipëria dhe Kosova kishte ardhur edhe zëvendëskryeministri i Hungarisë, vend nga ku kishte origjinen edhe Princesha Geraldine.
Nuk kanë munguar në këtë ceremoni edhe disa prej ambasadorëve të akredituar në Tiranë, nderkohe qe është bojkotuar nga politika e majte.
Princ Leka, në emër të Familjes Mbretërore ka falenderuar pjesëmarrësit, duke u shprehur se kjo është një ngjarje historike në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë.
“Rishikimi i historisë së popullit tonë nuk fillon dhe mbaron sot. Eshtë një proces ende i gjatë dhe i vështirë për të zbuluar me objektivitet të vërtetat historike. Rindërtimi i mauzoleumit ka një rëndësi jo vetëm për Familjen Mbretërore, por për të gjithë kombin shqiptar”, tha Princ Leka.
Në fjalën e saj, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, evidentoi një sërë arritjesh të Mbretit Zog, në formimin e një shteti modern shqiptar.
“Kthimi i eshtrave të ministrit, kryeministrit, presidentit dhe të naltmadhnisë së tij, mbretit të shqiptarëve Zogu i Parë, simbolizon drejtësinë hyjnore, paqen politike dhe pajtimin kombëtar. Shqipëria, nën udhëheqjen e mbretit Zog i Parë, nga një vend i varfër dhe i pazhvilluar, fisnor dhe i përcarë, me kontradikta të shumta u bë një vend modern i kohës, i unifikuar, me shtrirje të pushtetit dhe të administratës në çdo cep, me liri qytetare dhe me tolerancë fetare”, tha Jahjaga.
Ndërsa presidenti Bujar Nishani tha se Ahmet Zogu ishte i pari mbret real i shqiptarëve, paçka se për figurën e tij ka diskutime të ndryshme.
“Rivarrimi i tij pikërisht aty ku shteti-parti hodhi në erë varrin e nënës së tij, nënës mbretëreshe është simbolika e Shqipërisë që nuk urren, por nderon, që nuk harron, por i jep secilit atë që meriton”, tha Nishani.
Pas dorëzimit të Flamurit Kombëtar nga truproja e nderit Princit Leka, arkëmorti me eshtrat e ish-Mbretit Zog është vendosur në ambientet e brendshme të mauzoleumit, duke plotësuar kështu një dëshirë jo vetëm të pasardhësve të monarkisë shqiptare, por edhe mbështetësve të tyre.
Top Channel