
Çdo muaj kompania elektrike greke DEH u ndërpret furnizimin me energji
elektrike rreth 30 mijë abonentëve që nuk mund të paguajnë faturën.
Në këtë situatë është arritur për shkak të rënies së të ardhurave si pasojë e masave anti-krizë të ndërmarra nga qeveria, me kërkesë të Trojkës.
DEH ka pranuar se ndërpret energjinë kur faturat mbeten të pashlyera, por s’ka saktësuar nëse kjo ndodh pasi abonenti nuk ka para për të paguar korrentin apo sepse nuk paguan taksën e pronës.
Kjo e fundit, sipas raportimeve të mediave greke online, është futur prej një viti në brendësi të faturës për energjinë elektrike.
Mesa duket, situata e rëndë ekonomike që ka pllakosur Greqinë ngjason me situatën në Shqipëri, ku për shkak të kushteve të rënda sociale dhe ekonomike, shumë banorë nuk paguajnë energjinë.
Kompania që menaxhon shpërndarjen në vendin tonë, CEZ, jo vetëm që ndëshkon banorët në mënyrë kolektive, por një ditë më parë ndëshkoi edhe ndërmarrjet e ujësjellësit në mbarë vendin.
Pretendimi i saj ishte se këto ndërmarrje nuk kanë shlyer detyrimet e tyre financiare, ndërsa angazhimi se do të vazhdojë t’ua ndërpresë energjinë nëse nuk plotësohen kushtet e saj.
Top Channel