Mijëra persona u manifestuan paqësisht në kryeqytetin bullgar Sofje, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë.
Protestuesit u shprehën të irrituar nga masat e shkurtimit që ka paralajmëruar qeveria, si dhe nga ajo që ata e quajnë paaftësi e autoriteteve për të rikthyer rritjen ekonomike në vend.
Shumica e të grumbulluarve ishin mbështetës të Partisë Socialiste Bullgare, paria më e madhe në opozitës.
“Qëllimi ynë është të ringjallim Bullgarinë, duke qenë se koalicioni qeverisës e ka kthyer vendin pas me disa dekada”, deklaroi lideri i opozitës, Sergey Stanishev.
Aktualisht, sondazhet tregojnë se popullariteti i koalicionit qeverisës të tre viteve të fundit, i goditur nga disa skandale korrupsioni dhe nga rënia e fuqisë blerëse, është në nivelin më të ulët që prej marrjes së mandatit.
Bullgaria, një vend me pagë mesatare prej 460 dollarësh dhe pensione mesatare prej 176 dollarësh, është një prej shteteve më të goditura të krizës ekonomike.
Top Channel