Zyrtarizohet largimi i Ina Ramës

16/11/2012 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani do të nisë konsultimet me krerët e grupeve parlamentare për atë që në njoftimin e zyrës së tij të shtypit cilësohet si “evidentimi i vlerave më të mira” që duhet të përfaqësojë figura e ardhshme e prokurorit të përgjithshëm.

Takimet do të nisin ditën e martë në ambjentet e Presidencës dhe pritet t’i përngjarjnë formatit të atyre të zhvilluara për datën e zgjedhjeve.

Por ndërkohë presidenti i Republikës e ka nisur serinë e takimeve me një të tillë jozyrtar me kryeministrin Berisha, i cili ka qenë rreth orës 16:00 në zyrën e tij, duke qëndruar atje për rreth një orë.

Vetë Presidenca dhe zyra e saj e shtypit nuk japin detaje për këtë takim, por nuk është e vështirë të supozohet se më shumë sesa për situatën e krijuar me CEZ, takimi ka patur lidhje me aktualitetin tjetër politik dhe ajo që është kthyer në çështje e ditës është pikërisht emri i prokurorit të ri të përgjithshëm.

Kryeministri Berisha u mundua gjatë të mbante një profil të ulët për çështjen e kryeprokurorit të ri, ndoshta nën presionin e opinionit dhe të ndërkombëtarëve për këtë çështje.

Gjithashtu, Berisha qëndroi larg temës së prokurorit, interpretimit të mandatit të Ina Ramës, pikërisht për të mos forcuar edhe më tej idenë se është ai që dikton në mos emërimet, të paktën shkarkimet e drejtuesve të institucioneve të pavarura.

Ndërkohë, nëse merret për shembull axhenda e takimeve për datën e zgjedhjeve, i bie që në këto konsultime të mungojë sërish Fryma e Re Demokratike e Bamir Topit, presidenti që emëroi Ina Ramën.

Në të gjitha rastet, ajo çka tashmë është thuajse zyrtare është se presidenti e ka marrë vendimin dhe se Shqipëria ndoshta ndodhet me një kryeprokuror në ikje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB